Futboll

Çdo gjë sipas ‘planit’ të Partizanit, në derbi -2 nga Tirana që humb me Teutën

Gazeta Si – Ndeshjet e sotme kanë shkuar pikërisht ashtu siç dëshironte Partizani. Të kuqtë kanë mundur 3-1 Kukësin, kurse Tirana rivale humbi 2-1 në Durrës, duke bërë që në derbi diferenca të shkojë në 2 pikë, në favor të kampionëve në fuqi.

Partizani së pari bëri detyrën në ‘Arena e Demave’. Skuadra e trajnerit Kolela u gjend në disavantazh, pasi Gjelbërim Taipi realizoi me penallti, por më pas bëri përmbysjen. Po me penallti barazoi Da Silva dhe brenda pjesës së parë Atanasovski shënoi edhe golin e avantazhit.

Atanasovski feston golin ndaj Kukesit. Gazeta Si, 6 maj 2023

Braziliani Da Silva shënoi edhe golin e sigurisë për Partizanin në pjesën e dytë, ndërkohë që nga Durrësi vinin lajme të mira. Tirana kryesuese pësoi dy gola nga Teuta. Bardheblutë shënuan të parët me Rimal Haxhiun, por më pas ishin Emiljano dhe Lorenco Vila që kthyen gjithçka në favor të Teutës.

Në minutat e fundit edhe një karton i kuq për mbrojtësin e Tiranës, Behiratçe, pasi u panë pamjet në var dhe ai kishte goditur pa top një lojtar kundërshtar. Presioni tashmë rritet mbi Tiranën, që në derbi duhet të paktën të mos humbasë për të ruajtur pozitat. Bardheblutë kanë 59 pikë, kurse të kuqtë 57.

Kukësi ndërkohë rrezikon rënien nga kategoria. Me vendin e 8-të që mban aktualisht i duhet të shkojë në ‘play-out’ që të qëndrojë në elitë. Teuta ka fituar terren pas fitores së sotme ndaj Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë