Gazeta Si – Nëntë italianë dhe 4 shqiptarë, administratorë të 15 shoqërive tregtare “Call Center”, janë dërguar për gjykim, pasi nuk deklaruan 5.7 milionë euro.
Ata kanë qarkulluar vlera monetare, të cilat nuk janë raportuar si të ardhura në organet tatimore, duke shmangur kështu dhe përllogaritjen dhe pagimin e detyrimeve tatimore.
Prokuroria thotë se 9 italianët dhe 4 shqiptarët që janë dërguar për gjykim, janë shtetasit me iniciale: F.L., L.S., A.L., M.G., I.M., L.F., G.T., D.A., M.F., D.O., B.M., M.L., dhe A.S.
Ata akuzohen për veprat penale të “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”
Sipas prokurorisë, janë transferuar vlera të konsiderueshme monetare, të cilat më pas janë tërhequr cash, duke iu fshehur destinacioni përfundimtar.
Nga analizimi i gjithë veprimeve hetimore, rezultoi se administratorët e subjekteve Call Center shqiptarë dhe të huaj kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
“Transfertat bankare të këtyre shumave në llogaritë dhe në favor të këtyre subjekteve Call Center, tërheqjet më pas në sasi të mëdha vlerash monetare në kesh, qarkullimi i tyre jashtë sistemit bankar dhe mosraportimi i këtyre të ardhurave në organet e kontrollit të ligjshmërisë së këtyre veprimtarive, krijojnë dyshimin e arsyeshëm të kemi një qarkullim të pasurive me qëllim mbulimin e prejardhjes, natyrës së vërtetë, burimit, fshehjen e destinacionit, fitimit të pasurisë në mënyrë të paligjshme duke i bërë kështu subjekte të figurës së veprës penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Tiranë.
Shuma totale e transaksioneve bankare të ardhura në llogaritë e kompanive më sipër dhe të padeklaruara është në total në vlerën 5,799,010 euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




