Nga Gazeta 'SI' - Banka e Shqipërisë raportoi rënie të çmimit të banesave në Shqipëri, për herë të parë në një dekadë.
Indeksi Fischer, matur nga BSH tregoi se tregu pati një rënie më 9% në gjashtëmujorin e dytë 2022, krahasuar me atë paraardhës.
Gjithsesi, në terma vjetorë, çmimet e banesave mbeten më të lartat në histori dhe në krahasim me gjashtë vjet më parë, janë sërish gati dy herë më të shtrenjta.
Banka vëren se rritja prej 28% në gjashtëmujorin e parë dhe rënia prej 9% në gjashtëmujorin e dytë ka prodhuar gjithsesi një rritje vjetore prej 17% ndërsa luhatja brenda vitit mund të jetë më shumë pasojë e llojit të informacionit statistikor të grumbulluar për të llogaritur indeksin se sa luhatshmërisë reale.
“Duhet theksuar se çmimet e vlerësuara në gjashtëmujorin e kaluar u diktuan ndjeshëm nga numri i lartë i raportimeve për shitje në zona me çmime relativisht më të larta, ndërkohë që për gjysmën e dytë të vitit shpërndarja e shitjeve sipas zonave, llojit dhe vlerës së banesave është disi më heterogjene,” shkruhet në raport.
Indeksi krijohet në bazë të një anketimi të kryer nga BSH me rreth 230 shoqëri ndërtimi dhe agjenci ndërmjetësimi.
Në një seri analizash të bëra nga Gazetasi.al me ndihmën e ekspertëve të këtij tregu, perspektiva ishte e paqartë, pasi vetë të dhënat ishin të tilla. Pjesa më e madhe e të intervistuarve prisnin, njësoj si BSH, normalizim të tregut, por jo rënie. Ekspertët u dakordësuan të gjithë në mungesën e ofertës për banesa, në një kohë që kërkesa mbetet e lartë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.