Drejtësia

Pastrim parash përmes tregtisë së floririt, të përfshirë dy shqiptarë dhe dy italianë

Gazeta Si – Dy shqiptarë dhe dy shtetas italianë dyshohet se janë përfshirë në një skemë të pastrimit të parave përmes tregtisë së floririt.

Për të katërt, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masë sigurie “arrest me burg”, ndërsa mësohet se është ekzekutuar masa vetëm për njërin prej tyre.

Gjatë hetimeve, nga ana e Prokurorisë, u zbulua një skemë e mirëfilltë e transferimit të shumave monetare me prejardhje të dyshuar kriminale nëpërmjet sistemit bankar nga Italia me destinacion Shqipërinë.

Sipas Prokurorisë, persona nëpërmjet një shoqërie fiktive, bënin blerje fiktive të floririt dhe më pas shitje po fiktive me fatura tatimore, ku qëllimi i vetëm ishte që nëpërmjet këtyre faturave të justifikoheshin transfertat e vlerave të larta monetare me origjinë të dyshuar kriminale dhe që kapin shifrën e miliona euro nga bankat italiane në ato shqiptare.

Këto transferta në dukje të justifikuara me anë të një faturimi të rregullt, pra duke i paraqitur si pagesa të blerjeve të floririt të përdorur, arrinin t’i shpëtonin kontrollit të agjencive mbikëqyrëse në fushën e pastrimit të parave dhe sapo këto shuma mbërrinin në Shqipëri tërhiqeshin cash dhe zhdukeshin.

Kështu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkoi vendosjen e masës së sigurisë “arrest në burg” për dy shqiptarët me iniciale K.K., dhe K.K. si dhe dy shtetas italianë P.C., dhe N.T.

Deri më tani, burime paraprake bëjnë me dije se është arrestuar vetëm një nga shqiptarët, ndërkohë që vijon puna për kapjen e tre të tjerëve.

Ata akuzohen për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë