Nga Gazeta Si - “Kengo Kuma and Associates” u shpall fituese e konkursit ndërkombëtar mes 4 studiove të arkitekturës për hartimin e projektit për Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit.
“Për qasjen unike arkitekturore në krijimin jo thjesht të një objekti, por të një porte hyrëse në pasurinë e Butrintit, me një pamje të mrekullueshme dhe krijimin e një hapësire publike takimi për komunitetin lokal dhe turistët”, shkruan në rrjetet sociale ministrja e Kulturës, Elva Margariti për studion fituese.
Juria ndërkombëtare shqyrtoi katër projektet finaliste për Qendrën e Vizitorëve në Parkun e Butrintit, portën hyrëse në këtë pasuri të UNESCO-s.
Katër studiot finaliste ishin:
• Kengo Kuma & Associates (Japoni)
• Lahdelma & Mahlamäki Architects (Finlandë)
• Philippe PROST / AAPP (Francë)
• William Matthews Associates (Mbretëria e Bashkuar)
Procesi i seleksionimit dyfazësh u organizua nga Malcolm Reading Consultants në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit. Konkursi u financua nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Juria përbëhej nga: Elva Margariti, ministre e Kulturës; Martin Mata, bashkë-CEO, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim The_AADF; Aleksandër Sarapuli, bashkë-CEO, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim; Róisín Heneghan, bashkëthemeluese dhe Drejtuese e ‘Architects Heneghan Peng’; Mónica Luengo Añón, themeluese, “Arkitekturë, Territor dhe Peizazh, ATP”; Suzanne Ogge, drejtuese e Projekteve dhe Trashëgimisë Ndërkombëtare, studio Milou, dhe konsulente e UNESCO; Thomas Vonier, ish-kryetar i Unionit Ndërkombëtar të Arkitektëve, partner i Chesapeake Strategies dhe Matilda Pando, kryetare e Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë dhe themeluese e MATT Architects.
I shpallur nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, konkursi ndërkombëtar i qendrës së vizitorëve u mbështet financiarisht nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe u organizua nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Kulturës nga kompania britanike Malcolm Reading Consultants.
Sipas planit fillestar të akomodimit në të do të përfshihen Biletaria, Hapësira orientimi, lokal, ekspozita, shërbime, shitje me pakice/artizanët etj., për një total prej 700 metër katror sipërfaqe.
Menaxhimi i Butrintit ishte objekt debatesh të ashpra në parlament gjatë gjysmës së parë të vitit 2022, kur u diskutua në disa komisione parlamentare.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa në veçanti kërkoi shpjegime për shumë çështje nga ministrja e Kulturës Elva Margariti.
Ndërkohë ministrja Margariti në komisionet parlamentare apo edhe në foltoren e Kuvendit do të theksonte se “Butrinti do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit dhe nuk do t’i jepet asnjë privati”.
Ajo do të vinte në pah edhe suksesin e AADF në objekte të tjera kulturore si Pazari i Gjirokastrës, qendra historike e Vlorës dhe Muzeu Marubi në Shkodër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.