Drejtësia

Dështon seanca e parë për inceneratorin e Fierit, shkak mungesa e të pandehurve

Gazeta Si – Ka dështuar seanca e parë gjyqësore në GJKKO për inceneratorin e Fierit, për shkak se nuk është bërë njoftimi i personave të pandehur, por edhe avokatëve të tyre.

Policia nuk ka arritur të gjejë adresat e banimit të disa prej të kërkuarve në këtë çështje dhe adresat e kompanive që janë nën akuzë për akuzën e pastrimit të parave.

Në seancën e kësaj të hëne, nuk ishin të pranishëm, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-Sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako, të cilët ndodhen në paraburgim.

LEXO EDHE:
– Kalon për gjykim dosja e inceneratorit të Fierit, zbuten akuzat për Alqi Bllakon dhe Arben Dervishajn
– Skema korruptive e inceneratorit të Fierit, 4 mln euro për punë fiktive. Roli i Arben Dervishajt, Zotos, Kokës dhe Bllakos

Ata akuzohen për pastrim parash, shpërdorim detyre e korrupsion. Seanca e radhës do të mbahet në datë 10 maj në orën 09:00.

Më 24 mars, Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Mes zyrtarëve të lartë, përveç ish-ministrit Lefter Koka dhe ish-deputetit Alqi Bllako, i pandehur është marrë edhe kolaudatori i punimeve, Arben Dervishaj dhe disa biznesmenë të tjerë.

Prokurorja Flojera Davidhi disa javë më parë i kërkoi prokurorisë që të ndryshojë akuzën për ish-sekretarin e Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako si dhe për Arben Dervishajn, nga ajo e korrupsionit të zyrtarëve të lartë shtetërorë, në korrupsion të zyrtarëve publikë, duke lehtësuar pozitat e këtyre personave. 

E njëjta akuzë u ndryshua edhe për biznesmenin Klodian Zoto, ndërsa mbetën të pa ndryshuara akuzat e tjera, ato të pastrimit të parave, mashtrimit me pasoja të rënda dhe krijimi i skemave fiktive.

Edhe për dy administratorë të kompanive, shtetasin Giuseppe Ciafaglione dhe Arjola Kodra që kryen punime për inceneratorin e Fierit u ndryshua akuza nga ajo e korrupsionit aktiv të zyrtarëve të lartë shtetëror në korrupsion aktiv të zyrtarëve publike. 

Tetë personat e marrë të pandehur, përfshi edhe ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako i kërkuan gjykatës që procesi ndaj tyre të zhvillohet me gjykim të shkurtuar. 

Pritej që në seancën e parë të themelit, gjykata të vendoste nëse do të pranohet kjo kërkesë, por ajo dështoi.

Koncesioni për inceneratorin e Fierit, fillimisht ishte miratuar me vlerën e 25 milionë eurove, por më pas dyshohet se ka pasur abuzime, duke qenë se ka pasur një vlerë të rritur të tenderit me thuajse 5 milionë euro. Sipas Prokurorisë së Posaçme, vlera totale për të cilën është abuzuar, është mbi 14 miliardë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë