Drejtësia

Mbërrin letërporosia nga SHBA, SPAK merr në pyetje nënkryetarin e PL për dosjen e lobimit

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, ishte këtë të enjte në ambientet e SPAK.

Mësohet se Braimllari është pyetur për çështjen e lobimit në SHBA.

Shtatorin e vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme nisi një letërporosi në SHBA ku kërkoi të dhëna se ku janë regjistruar kompanitë e lobimit që kishte pajtuar LSI.

SPAK është vënë në lëvizje pas kallzimit të ish deputetit Halit Valteri i cili pretendon se për llogari të LSI janë shpenzuar 700.000 dollarë të padeklaruara për qëllime lobimi.

Për këtë lobim fillimisht shkruajti revista amerikane Mother Jones. Ndërsa më pas ishte gazeta austriake “Kronen Zeitung”publikoi një artikull sipas së cilës Ilir Meta për të siguruar një foto në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump pagoi 700 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë.

Vetë Ilir Meta ka hedhur poshtë akuzat për një lobim të tillë dhe premtoi dorëzimin e një padie për shpifje ndaj gazetës austriake.

Marrja në pyetje e Braimllarit nga prokurorët e SPAK ka ardhur pas mbërritjes së letërporosisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë