Motosport

I përjetshmi Fernando Alonso pa frena: Luftoj për Botërorin e tretë!

Gazeta Si – Spanjolli i Aston Martin, pas 3 podeve në 3 garat e para të Botërorit, nuk i fsheh ambicjet. Presidenti i Formual 1, Domenikali, i thur elozhe, duke e konsideruar një pikë referimi.

“Titulli i tretë? Besoj gjithmonë se është i mundur, prandaj dhe po vazhdoj të garoj. Natyrisht, është një sfidë shumë e madhe, dihet që duhen kaluar disa vështirësi dhe disa skuadra më të mira, që sot janë në majë të sportit tonë. Por unë garoj çdo ditë dhe punoj çdo ditë, duke menduar se titulli i tretë në F.1 është i mundur”.

Nga këto fjalë të Fernando Alonsos kuptohet qartë se ai nuk i vendos limite vetes. Piloti spanjoll, autor i një starti mjaft pozitiv të sezonit me Aston Martin, ka pohuar se ambicjet e tij janë maksimale.

Fernando Alonso, 41 vjeç. Gazeta Si, 15 prill 2023

Në një intervistë me një nga sponsorët e skuadrës, ish- ferraristi ka folur për karrierën e gjatë në F.1. Në moshën 41-vjeçare dhe me 359 gara mbi shpatulla ai është piloti më jetëgjatë në pistë, ende shumë i shpejtë dhe me shumë vullnet për të ardhmen.

“E ardhmja? Edhe mua do të më pëlqente ta dija përgjigjen, – ka thënë Alonso. – Kur fillova karrierën në Formula 1, ideja ime ishte të qëndroja 7-8 vjet. Pastaj fitova 2 Botërorë dhe mendova se do të vazhdoja edhe 2 vjet.

Tani ja ku jam, me karrierën më të gjatë në Formula 1, por jam ende i freskët, i motivuar dhe po shijoj çdo ditë. Zgjohem në mëngjes dhe jam i lumtur për atë që po bëj. Besoj se kam ende disa vjet përpara, duke shpresuar të fitoj titullin e 3-të”.

Për mundësitë e fitimit të Botërorit, Alonso pohon se do të luftojë për këtë objektiv, por pa fluturuar shumë me fantazinë: “Ky është objektivi, por mendoj se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Skuadra synon vetëm të bëjë një sezon të mirë, të përmirësohemi, të njohim më mirë makinën dhe të nisim një projekt të ri. Dhe këtu jemi për momentin. Shpresojmë të kemi sa më shumë pode, ndërsa për titullin mendoj se duhet ta përgatisim më parë skuadrën”.

Stefano Domenikali, presidenti i Formula 1. Gazeta Si, 15 prill 2023

Për Alonson ka folur për ‘Die Welt’ edhe presidenti i F.1, Stefano Domenikali, që i ka thurur elozhe pilotit, me të cilin ka punuar te Ferrari: “Fernando është një pikë referimi për të gjithë, rikthimi i tij është fantastik, është magji e pastër që mund të rivalizojë me Maks Vershtapen. Tregon atë që mund të arrish, nëse nuk dorëzohesh dhe jep gjithmonë gjithçka”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë