Gazeta Si – Dy nga ‘xhevahirët’ e Çezenës në Itali janë binjakët shqiptarë Stiven dhe Kristian Shpendi. Ata sapo kanë zgjatur kontratën deri në 2026-ën, por nëse kjo skuadër nuk ngjitet në Serinë B, ata do të rrëmbëhen menjëherë nga klube të tjera.
Më e sigurt është lëvizja e Stiven Shpendit, sulmuesit të Shqipërisë U-21, për të cilin, sipas shtypit italian, janë intreresuar klube të mëdha, si Napoli, Milani dhe Fiorentina, por edhe Sasuolo e Leçe nga Seria A, apo dhe klube të Premier Ligës.

Në lojë ka hyrë tashmë edhe agjenti i njohur shqiptar, Fali Ramadani, i cili ka raporte shumë të mira me klubet angleze, veçanërisht me Çelsin, ku ka transferuar më parë trajnerin Mauricio Sarri dhe pastaj mbrojtësin Kulibali.
Por sa vlen Stiven Shpendi? Nëse 19-vjeçari qëndron në C, Çezena nuk mund të përfitojë më shumë se 500 mijë euro plus bonuset, sepse klubet e kategorisë së tretë nuk kanë ‘peshë’ dhe nuk trajtohen si të tjerët. Ka edhe përjashtime, si ai Juventusit, që bleu Tomazo Mançinin nga Viçenca për 2 milionë euro.
Për Stiven Shpendin, në rast se ngjitet me skuadrën në Serinë B, vlera trefishohet ose katërfishohet menjëherë. Në atë pikë do të ishte më e lehtë për ta mbajtur për ta rritur më shumë me fanellën që ai e ndjen si të vetën. Nëse mbetet në C, Çezena mund ta lëshojë lojtarin kuqezi vetëm në huazim.
Për Kristian Shpendin, që ende nuk është zhbllokuar, por që ka potencial të ngjashëm me vëllanë binjak, Çezena dëshiron ta mbajë edhe për kampionatin e ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




