Motosport

Audi në Formula 1 nga 2026-a, pilotët do të zgjidhen vetëm në bazë të meritave

Gazeta Si – Një nga drejtuesit më të lartë të Audi Formula Racing, Adam Baker, ka folur së fundi për projektin që marka e njohur ka për Formula 1, në bashkëpunim me Sauber. Ai ka pohuar se është ende shpejt për të folur për emra pilotësh, të cilët do të zgjidhen nga performanca e tyre.

Objektivi për futjen në Formula 1 i takon vitit 2026, por që tani Audi po hedh bazat e projektit ambicioz. Administratori i deleguar i kompanisë, Adam Baker, është shprehur: “Gara jonë e parë do të jetë pas tri vjetësh, kështu që është shumë herët të flasim për pilotët.

Adam Baker (në mes) me dy drejtues të tjerë të Audit. Gazeta Si, 13 prill 2023

Interesi për këtë argument është evident, por mund të them se çdo vendim që do të marrim për pilotët që do të garojnë me makinat Audi, do ta bëjmë vetëm në bazë të meritave, të nivelit që do të kenë pilotët. Kjo është përparësi absolute”.

Një tjetër temë diskutimi është edhe ajo e motorëve, për të cilën Baker ka theksuar: “Për sa u përket motorëve të 2026-ës, nuk mund ta përjashtojmë mundësinë e furnizimit të një skuadre klientësh, por me 6 konstruktorë të regjistruar për këtë vit, mundësitë janë minimale. Për momentin nuk po kërkojmë një klient dhe qëllimi ynë është i fokusuar te bashkëpunimi me Sauber”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë