Futboll

Champions/ Siti i Guardiolës asfalton Bajernin, edhe Interi prek gjysmëfinalen

Gazeta Si – Fitore spektakolare e Mançester Sitit, 3-0 ndaj Bajernit të Mynihut në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Kualifikimi duket vetëm një hap larg për anglezët, ashtu si dhe për Interin, që fitoi 0-2 në fushën e Benfikës.

Spanjolli Rodri realizoi një gol për kornizë sapo kishte kaluar gjysma e pjesës së parë. Gjuajtja e tij nga distanca përfundoi në trekëndëshin e portës së bavarezëve, e mbrojtur nga Somer.

Mbrëmja e madhe e skuadrës së Pep Guardiolës do të kompletohej në pjesën e dytë, me golat e Bernardo Silvës dhe Haland. Një fitore e madhe për ‘qytetarët’ ndaj një kundërshatri shumë të fortë në Champions. Në anën tjetër, një turpërim për gjermanët e drejtuar nga Tomas Tuhel, me probleme në mbrojtje. Duket se për Sitin është vërtet viti i Championsit.

Një fitore shumë të rëndësishme arriti sot edhe Interi. Italianët triumfuan 0-2 në Portugali ndaj Benfikës dhe janë shumë pranë kualifikimit në gjysmëfinale. Nikolo Barela i dha avantazhin Interit, duke gjuajtur saktë me kokë, pas një krosi të Bastonit nga e majta.

Romelu Lukaku, i aktivizuar në pjesën e dytë nga trajneri Inzagi, dyfishoi shifrat me penallti. Portugezët nuk mundën të shënonin as golin e nderit në fushën e tyre. Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares, nuk luajti asnjë minutë në këtë ndeshje, duke e shijuar fitoren nga stoli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë