Futboll

Xherdan Shaqiri: I dua njësoj Kosovën dhe Zvicrën, do shijoj çdo moment në Prishtinë

Gazeta Si – Në një intervistë të fundit për ‘Guardian’, Xherdan Shaqiri ka folur për lidhjen që ka me Kosovën, të cilën e gjen si kundërshtar në kualifikueset e Euro 2024. Futbollisti shqiptar që luan për Zvicrën, pas përvojave në Europë me Bajernin, Interin dhe Liverpulin, aktualisht aktivizohet në MLS, me Chicago Fire.

Rrugëtimi i tij ka nisur nga Gjilani në Kosovë, ku lindi në 1991-shin. Më pas familja e tij u shpërngul në Zvicër, pasi ishte koha e luftës së Kosovës. “Kur ndryshon vendin, shkon diku, ku nuk njeh askënd. Nuk vija nga një familje e pasur, prindërit e mi punuan shumë. Ishte e vështirë, por ndonjëherë kjo të bën më të fortë”, – thotë Shaqiri.

Xherdan Shaqiri, duke folur per ‘The Guardian’. Gazeta Si, 11 prill 2023

Sulmuesi anësor tregon më tej se ishte i vetmi i huaj në shkollën e tij, ndërsa futbollin e kishte si strehë: “Në sport ke gjithmonë një shans për të shpëtuar nga disa gjëra. Të rritesh si person, të jesh konkurrues, të mësosh kultura të reja.”

Talenti i Shaqirit tërhoqi vëmendjen e skautëve të Bazelit, ku ai u bë profesionist dhe ndihmoi skuadrën të fitonte tre tituj të Zvicrës dhe dy Kupa të Zvicrës në 3 vjet. Më pas kaloi te Bajerni, pastaj tek Interi, Stok Siti dhe Liverpuli.

Pas debutimit me Zvicrën në vitin 2010, Shaqiri regjistron 112 ndeshje me këtë kombëtare dhe 4 pjesëmarrje në Botëror. Ai shpreson të luajë edhe në Botërorin e 2026-ës, në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Fokusi i Zvicrës tani është kualifikimi për në Euro 2024, në Gjermani. Dhe në kualifikuese do të ketë emocione për Shaqirin, sepse Zvicra bën pjesë në Grupin I, ashtu si dhe Kosova.

“Unë luaj për Zvicrën, por jam lindur në Kosovë dhe i dua të dy vendet. Do ta jap 100% për Zvicrën. Do të jetë një moment krenarie, natyrisht. Do ta shijoj çdo moment, duke luajtur atje, sepse familja ime do të jetë në stadium. Do të jetë mjaft emocionuese për mua. Jam i sigurt se do kemi një mikpritje të ngrohtë”, – u shpreh Shaqiri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë