Futboll

Interi me dy mungesa të mëdha në Portugali, Asllani pret shansin edhe në Champions

Gazeta Si – Interi do të fluturojë sot drejt Portugalisë, ku të martën luan ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Benfikës. Trajneri Simone Inzagi do të ketë dy mungesa të rëndësishme për këtë sfidë.

Është konfirmuar se mbrojtësi Milan Shkriniar dhe mesfushori Hakan Çalhanoglu nuk do të jenë të gatshëm në Lisbonë. Të dy këta lojtarë nuk i kanë kaluar dëmtimet që kishin pësuar dhe nuk do të jenë në fushë. Shpresat janë që trajneri Inzagi t’i ketë në stol ndaj Moncës në kampionat, që të luajnë më pas në kthim ndaj Benfikës, më 19 prill në ‘San Siro’.

Çalhanoglu, një nga mungesat e rëndësishme të Interit ndaj Benfikës. Gazeta Si, 10 prill 2023

Mungesa e Çalhanoglu do të thotë se mesfushori kuqezi, Kristjan Asllani, mund të ketë më shumë shanse për të qenë në fushë në ‘Da Luz’. Gjasat janë që ai ta nisë nga stoli, duke qenë se ndeshje të tilla kërkojnë më shumë eksperiencë, por në pjesën e dytë mund të marrë minuta, në varësi të rezultatit.

Futbollisti shqiptar luajti titullar në ndeshjen e fundit të kampionatit me Salernitanën, ku Interi barazoi 1-1. Asllani u paraqit shumë mirë dhe mori vlerësime pozitive nga shtypi sportiv, megjithatë në Champions ai do ta presë shansin e tij nga stoli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë