Motosport

Parashikimi i Alonsos: Tani nis një fazë e re e sezonit, diferenca minimale në garë

Gazeta Si – Piloti spanjoll parashikon një fazë të dytë të sezonit më të hapur dhe të paparashikueshme, duke lënë mënjanë Red Bull-in.

“E ka fajin Perez, që në Melburn nuk ishin… tre Red Bull në pod! Shakatë mënjanë, Mercedesi ishte rritur mjaft që në Jedah. Për ne është gjithçka në këtë moment”, – është shprehur Fernando Alonso. Piloti i Aston Martin premton t’i shohë të gjithë nga lart, përveç njërit. Me 3 pode në 3 garat e para ai po shijon pauzën dhe statusin që i jep të qenit ndjekësi më i afërt i Max Vershtapen në klasifikimin e përgjithshëm.

Alonso dhe Vershtapen. Gazeta Si, 10 prill 2023

Spanjolli ka bërë edhe pak ironi me ngjashmërinë mes makinës së tij AMR23 me dy makinat dominuese, Red Bull RB19. Alonso bën apel që Aston Martin të mos e ulë përqendrimin dhe të kryqëzojë trajektoret me Mercedesin dhe Ferrarin.

“Nuk e prisnim të ngjiteshim në pod tri herë gjithë sezonin, jo më në tri garat e para! Gjithçka që vjen më pas nga ky moment është një bonus. Kapja e vendit të 3-të dhe 4-t në Melburn është goxha mirë.

Duhet të shfrytëzojmë momentin dhe të rritemi më shumë gjatë pauzës, duhet të përballemi me Red Bull-in, Mercedesin dhe Ferrarin, që janë mësuar të zhvillohen shumë shpejt gjatë sezonit. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për të pasur një qasje përulësie, pastaj të shohim”.

“Besoj se performanca në kualifikuese është çelësi i suksesit, sepse diferencat në garë janë minimale në krahasim me kundërshtarët tanë direkt. Në Baku nis një fazë shumë e rëndësishme e sezonit: do jetë vendimtare shpejtësia në zhvillimin e makinës.

Në tri garat e para larg Europës ishte e vështirë të bëheshin ndërhyrje për modifikimin e ekuilibrave. Tani e në vazhdim raporti i forcave mund të ndryshojë pak, edhe nga njëra garë në tjetrën, sipas sasisë dhe efikasitetit të ndërhyrjeve që skuadra të caktuara duan të bëjnë”, – ka përfunduar Alonso.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë