Gazeta Si – Është ndalur Arsenali në javën e 30-të të Premier Ligës, ku barazoi 2-2 me Liverpulin. Në ‘Anfield’ skuadra e Klop reagoi pas dy golave të miqve me brazilianët Martineli dhe Gabriel Jesus. Salah shkurtoi fillimisht dhe pastaj humbi një penallti. Firmino në fund shënoi një gol të rëndësishëm për kampionatin. Tashmë është 6 pikë diferenca mes Arsenalit të vendit të parë dhe Sitit.
Ishte një duel spktakolar. Në astmosferën e ndezur të ‘Anfield’ u deshën vetëm 8 minuta, që ‘Topçinjtë’ të shënonin me Martinelin. Arsenali qarkullonte topin me shpejtësi, ndërsa Liverpuli e mori veten dhe iu afrua golit me Robertson.

Në minutën e 28-të Arsenali dyfishoi shifrat: Martineli u shkëput nga e majta dhe dha një kros perfekt për Gabriel Jesus, që me kokë e përcolli në rrjetë. Në fund të pjesës së parë u zgjua Liverpuli, duke shkurtuar diferencën në 1-2 me Salah. Pjesa e dytë ishte krejt ndryshe, me Liverpulin që sulmoi më fort.
Në minutën e 52-të kishte shansin e barazimit, pas penalltisë së fituar nga Jota, por Salah gaboi nga pika e bardhë. Vendimtar portieri Ramsdale në këtë rast, por edhe ndaj Nunjez më pas. Ai nuk mund të bënte asgjë në gjuajtjen me kokë të Firminos 3 minuta para fundit. Braziliani barazoi pas krosit të Aleksander-Arnold, duke bërë që në ‘Anfield’ të shpërthejë festa.
Liverpuli mund të fitonte në shtesë, por Salah u ndal përsëri nga Ramsdale, kurse Konaté nuk mundi të shtynte topin në rrjetë. Mbyllet gjithçka 2-2, me Arsenalin që shkon 73 pikë, 6 para Sitit, por kjo diferencë mund të përgjysmohet, sepse skuadra e Guardiolës ka një ndeshje më pak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




