Gazeta Si – Vllaznia ka fituar 3-1 ndaj Erzenit në stadiumin “Loro Boriçi”, duke u barazuar me pikë me Egnatian e vendit të 3-të. Trajneri i ri i shkodranëve, Goce Sedloski, i cili e mori drejtimin e skuadrës pak ditë më parë, ka debutuar me sukses, duke marrë një fitore të çmuar.
Herald Marku hapi serinë e golave për Vllazninë, ndërsa Liridon Latifi dyfishoi shifrat më pas. Nonato shkurtoi diferencën për shijakasit, shpresat e cilëve u shuan nga Fjoart Jonuzi me golin e tretë. Një sukses që vjen në momentin e duhur për shkodranët, të cilët luftojnë në dy frontet, kampionat dhe Kupën e Shqipërisë.

U luajt sot edhe ndeshja mes Teutës dhe Laçit, që u fitua nga kurbinasit me rezultatin 1-2. Me këtë fitore Laçi i largohet zonës së rrezikut nga rënia një kategori më poshtë, ku tashmë ka zbritur Teuta.
Daci e kaloi Teutën në avantazh në pjesën e dytë dhe u duk se durrsakët po shkonin drejt fitores, por në fund erdhi përmbysja e madhe me golat e Guindos dhe Shkurtajt. Në stolin e Laçit debutoi trajneri Stavri Nica, edhe ai me sukses.
Java e 28-të e Superiores mbyllet ditën e hënë me ndeshjet Egnatia-Partizani dhe Tirana-Kukësi. Renditjen e kryesojnë Partizani dhe Tirana me pikë të barabarta, nga 47 secili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




