Futboll

Kërcënohen arbitrat, nuk luhet ndeshja mes Kastriotit dhe Bylisit

Gazeta Si – Një ngjarje e rëndë, e paprecedentë, ka ndodhur sot në futbollin shqiptar, në nivelin elitar të tij. Ndeshja mes Kastriotit dhe Bylisit, e planifikuar të luhej sot në Kamzë, nuk do të zhvillohet për shkak të kërcënimit të arbitrave. Lajmi është bërë i ditur nga Federata Shqiptare e Futbollit me anë të një deklarate. Dhe kërcënimi duket se vjen nga klubi krutan.

Por jo vetëm kaq. Arbitrat nuk pranojnë të dretojnë ndeshjet e Kastriotit, për shkak të shantazheve dhe presioneve. Po ashtu, deklarata e FSHF-së sqaron se arbitrat kanë anuluar një gol të Laçit një javë më parë, të detyruar nga presioni i krutanëve. Ngjarja e sotme po hetohet dhe FSHF pret vendimet e organeve kompetente, por gjasat janë të mëdha që Kastrioti të marrë një dënim të rëndë me përjashtim nga aktiviteti.

Historia në fjalë ka kohë që përflitet në ambientet sportive, ndërsa tani gjithçka bëhet publike nga vetë FSHF, që duhet t’i japë drejtim një herë e mirë situatës.

Nga nje ndeshjes mes Kastritoit dhe Bylisit. Gazeta Si, 9 prill 2023

Deklarata e FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të informojë komunitetin e futbollit dhe opinionin publik se ndeshja Kastrioti-Bylis, e planifikuar për t’u zhvilluar ditën e sotme në stadiumin e Kamzës, nuk do të zhvillohet.

Ditën e djeshme arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar dhe kjo ngjarje është duke u hetuar nga organet kompetente. Federata e Futbollit është njohur me vendimin e të gjithë klasës arbitrale, që nuk pranon të marrë përsipër drejtimin e ndeshjeve të Klubit Kastrioti, për shkak të presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme.

Një javë më parë, në ndeshjen Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Të ndjerë vazhdimisht të kërcënuar zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla.

Të gjendur në këtë situatë, FSHF bën me dije se do të presë deri në fund zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme dhe do të marrë vendimet e duhura për të siguruar ambientin e sigurt në panoramën futbollistike shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë