Gazeta Si – Lacio ‘fluturon’, frenon Juventusin dhe forcon pozitat në vendin e dytë, duke shkuar në 58 pikë pas fitores 2-1 në ‘Olimpico’, në ndeshjen që mbylli javën e 29-të të Serisë A. E treta është Roma me 53 pikë pas fitores 0-1 në Torino, ndërsa Interi ka dalë për momentin nga 4-shja e Championsit.
Milinkoviç-Saviç zhbllokoi shifrat në fundin e pjesës së parë, me një gjuajtje brenda zonës. Nga stoli i Juventusit pati protesta për këtë rast, me pretendimin se lojtari i Lacios kishte shkaktuar më parë një faull ndaj Aleks Sandro.
Juventusi barazoi shpejt me Rabiot, në zhvillimet e një goditjeje këndi. Topin e kthyer nga portieri Provedel francezi e shtyn në rrjetë, duke barazuar shifrat përkohësisht. Pak pas fillimit të pjesës së dytë Lacio rigjeti avantazhin me Xakanjin, i cili goditi saktë në pozicion diagolan në zonë, pas një pasimi magjik të Luis Albertos.
Menjëherë ndërhyrje nga stoli i Juventusit. Në fushë Milik, Paredes dhe Kieza, por asgjë nuk ndryshoi në rezultat dhe Lacio vazhdon të shijojë momentin e mirë, me tri fitore radhazi. Skuadra e Alegrit ndal serinë e fitoreve dhe mbetet në vend të 7-të, me 44 pikë.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, ishte në fushë për 90 minuta. Ai bëri një ndeshje relativisht të mirë ndaj një kundërshtari të fortë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




