Futboll

Kthesë për rinovimin e Leaos te Milani, gjobën te Sportingu do ta paguajë Lila

Gazeta Si – Një kthesë e fortë pritet të ndodhë në lidhje me rinovimin e Rafael Leaos me Milanin. Kontrata e portugezit përfundon në qershor të 2024-ës, por klubi kuqezi synon rinovimin sa më parë.

Sipas të përditshmes portugeze ‘Record’, Lila, skuadra ku Leao kaloi nga Sportingu, është gati të paguajë gjobën në lidhje me lamtumirën e sulmuesit nga Sportingu. Bëhet fjalë për rreth 20 milionë euro. Ky është edhe një nga kapitujt, që muajt e fundit e vështirësoi punën e Milanit për zgjatjen e kontratës.

Është folur për hipotezën e mbajtjes së 20% të pagës së lojtarit çdo muaj për të shlyer Sportingun. Pa peshën e gjobës mbi shpatulla bisedimet mund të përshpejtohen, ashtu si me skemën e re në fushë, ku Leao është kthyer në të majtë.

Postimi i Leaos. Gazeta Si, 7 prill 2023

Nëse lajmi konfirmohet, përveç tifozëve të Milanit do të lumturohet edhe vetë Leao, i cili në rrjetet sociale ka postuar lajmin në faqen të parë të gazetës portugeze.

Historia ka ndodhur në verën e 2018-ës, kur sulmuesi kishte zgjidhur në mënyrë të njëanshme kontratën me Sportingun për t’u transferuar te Lila me parametra zero. Kjo gjë ndodhi pas agresionit që lojtari pësoi në qendrën sportive të klubit nga ultrasit e Sportingut të Lisbonës.

Klubi portugez më pas bëri rekurs në organet kompetente dhe në maj të 2022-shit Gjykata e Milanos vendosi se rimbursimi i takonte vetëm Leaos. Tani vjen kjo kthesë, me Lilën të gatshme të shlyejë shumën e përmendur më sipër, që mund të ndihmojë edhe Milanin për rinovimin. Klubi kuqezi i ofron sulmuesit 5 milionë euro, plus bonuset që mund ta çojnë në 7 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë