Gazeta Si – Kthesë e papritur te Çelsi. Frank Lampard do të jetë trajner i ekipit deri në fund të sezonit, pra deri në muajin qershor. Pastaj, në stolin e londinezëve do të ulet njëri mes Luis Enrikes dhe Julian Nagelsman. Të dy këta trajnerë kanë kërkuar pak kohë.
Në këto kushte urgjence, drejtuesit e klubit kanë kërkuar ndihmën e ish-mesfushorit dhe ish-trajnerit të tyre, që së fundi ka drejtuar Evertonin. Ai do të drejtojë për gati dy muaj ekipin, pas shkarkimit të Poter. Lampard ka firmosur orët e fundit dhe pritet të dalë në një konferencë shtypi.

Kujtojmë që Frenk Lampard e drejtoi Çelsin në periudhën 2019-2021. Ishte ai që besoi i pari te sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja, duke e afruar në stërvitje me ekipin e parë, pasi pa kualitetin e futbollistit kuqezi. Ai i fali sulmuesit shqiptar edhe kënaqësinë e debutimit me fanellën e Çelsit.
Broja është ende në fazën e rikuperimit dhe ndoshta në fund të sezonit mund të luajë ndonjë minutë me Lampard në stol.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




