Kosova

Krasniqi në Hagë: Absurde akuza për persekutimin e anëtarëve të LDK-së kur isha vetë pjesë e saj

Nga Gazeta 'Si'-Ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi ka dëshmuar para gjyqit, në ditën e tretë të tij, ku ka argumentuar me detaje të gjithë faktet që sipas tij e bëjnë të jetë i pafajshëm dhe person i distancuar nga dhuna.

Krasniqi ka thënë se ndihet i njollosur me aktakuzën e Gjykatës Speciale për krime lufte, duke e cilësuar absurde akuzën për persekutim të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, kur unë isha vetë pjesë e kësaj partie”, ka thënë ai duke përmendur vëllain e mbesën si anëtarë të LDK-së edhe pas luftës.

Krasniqi ka deklaruar se ka qenë rol i tij si zëdhënës i UÇK-së që ta paraqesë si strukturë të mirorganizuar, por “kjo duhet parë si propagandë e asaj kohe”.

“Në rolin tim si zëdhënës i UÇK-së jam përpjekur të jap përshtypje se jemi një strukturë e organizuar mirë për të mbajtur shpresë te populli”, tha ai.

Venkateswari Alagendra, avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, tha se fakti që prokuroria insiston se në UÇK ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe pretendimi për qëllim të përbashkët kriminal “ishte i njohur dhe publik”, nuk qëndrojnë.

“Kjo i bie që NATO mbështeti një ndërmarrje kriminale të njohur”, tha ajo duke iu referuar bombardimeve të NATO-s që çuan në fundin e luftës në Kosovë.

Ajo tha se ZPS-ja nuk ka asnjë “provë të besueshme që e lidh Krasniqin me asnjë krim, nuk ka prova për qëllime të përbashkëta kriminale”.

 Avokatja mbrojtëse Venkateswari Alagendra tha se Prokuroria e ka keqinterpretuar rolin e Krasniqit në UÇK dhe gjithë organizimin e kësaj ushtrie.

Para trupit gjykues Krasniqi tha se përmbajtja e aktakuzës së ngritur ndaj tij, e ka “lënduar më shumë” sesa dënimet "dhe torturat” që ka kaluar në burgjet serbe.

“Unë kurrë nuk kam qenë në shërbim të ndonjë politike të krimit. Në jetën time asnjëherë nuk kam kryer ndonjë vepër kriminale, as para luftës, gjatë luftës e as pas luftës. Gjithmonë kam vepruar ndershmërisht për liri dhe bashkim kombëtar, që kanë qenë qëllimet e mia jetësore”, tha ai.

Në fund të deklarimit të tij, Krasniqi kishte tri lutje për trupin gjykues: të mos keqpërdoren mendimet dhe opinionet individuale të pasluftës për kohën e luftës ; që shënimet e tij, që tha se kanë pasur për qëllim përshkrimet për librat e tij shkencorë dhe publicistikë, të mos përdoren si dëshmi për veprat penale dhe që materialet të mos keqpërdoren nga ZPS-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë