Kosova

Dita e dytë e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Avokatët mbrojtës: Thaçi nuk ka përgjegjësi, Prokuroria s’ka prova

Nga Gazeta 'Si'-Në Gjykatën e Posaçme të Hagës, vijon sot (4 prill) dita e dytë e gjyqit kundër ish-krerëve të UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, dhe Rexhep Selimi ku fjalën e ka pala mbrojtëse.

Avokati Gregori Kehoe mbështeti pretendimet se Thaçi nuk kishte pushtet që të parandalonte apo ndëshkonte krimet e mundshme gjatë luftës dhe se kontrollin e kishin komandantët lokalë. Sipas tij, Thaçi nuk ka pasur motiv të kryejë krimet për të cilat akuzohet.

“Ai e dinte se suksesi i UÇK-së varej nga mbështetja ndërkombëtare, sidomos nga SHBA-ja”, tha ai, duke përmendur se mes kushteve që SHBA-ja kishte vendosur për funksionimin e UÇK-së, ishte shmangia e sulmeve ndaj civilëve.

Kehoe tha se Thaçi e ka pranuar se janë kryer krime gjatë luftës nga disa individë, por hedh poshtë akuzat e prokurorisë se këto krime janë kryer në bazë të një politike të udhëhequr nga UÇK-ja. Avokati mbrojtës kundërshtoi deklaratën hyrëse të prokurorëve të specializuar të hënën duke thënë se atyre i mungonte konteksti i luftës kur pretendohet se janë kryer krimet.

Thaçi nuk ka përgjegjësi, është shprehur Kehoe

Ai prezantoi edhe një pjesë të intervistës dhënë në korrik të vitit 1999 të ish-gjeneralit të NATO-s, Wesley Clark lidhur me krimet hakmarrëse ndaj serbëve lokalë.

“Ka qindra e mijëra njerëz që po kthehen mbrapsht. Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme, por ka edhe serbë që mendojnë se do të jenë fajtorë për shkak të etnicitetit të tyre. Ka përpjekje legjitime që pronat t’i kthehen pronarëve. Është periudhë që po merret hak, po lahen hesape”, është cituar të ketë thënë Clark.

Më tej ai ka folur për rolin e saktë të Thaçit brenda UÇK-së, si udhëheqës i drejtorisë politike.

Ndër tjera, sipas tyre, Thaçi kishte për detyrë të mbante raporte me mediat për të mundësuar intervista me udhëheqës të tjerë të UÇK-së, të sigurojë material dhe armë nga Shqipëria dhe të bashkëpunojë me diplomatë në terren.

Si një dëshmi për pafuqinë e Thaçit, pala mbrojtëse ka paraqitur faktin se më 10 korrik 1998, komanda e nën-zonës së Drenicës brenda UÇK-së, kishte lëshuar një fletëarrestim për Thaçin.

“Pra, këtij personi që mendohet që kishte këtë pushtet të jashtëzakonshëm brenda UÇK-së, i lëshohet fletëarrest”, tha avokati.
Ndërsa avokati i Thaçit, Lluka Mishetiç, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka paraqitur prova se klienti i tij u ka dhënë urdhra ushtarëve të UÇK-së për “kryerjen e krimeve”.

“Prokuroria nuk paraqet prova që Thaçi u ka dhënë urdhra ushtarëve të UÇK”, tha Mishetiç

Ai po ashtu tha se gjatë Qeverisë së Përkohshme, Thaçi, pavarësisht se ishte kryeministër, nuk kishte “pushtet ligjor dhe politik”, pasi ky pushtet ishte në duart të UNMIK-ut.

“Nuk kishte pushtet real dhe asnjëherë nuk kishte kontroll efektiv”, tha Mishetiç.

Mishetiç citoi një raport të grupit të krizës nga nëntori i vitit 1999, që sipas tij, dëshmon që Hashim Thaçi nuk ka qenë i kënaqur me krimet që po kryheshin pas luftës.

“Udhëheqësit e UÇK-së vazhdimisht u kanë bërë thirrje serbëve që të qëndrojnë në Kosovë”, tha avokati mbrojtës.

Mbrojtja publikoi edhe një deklaratë të vjetër të Thaçit ku dëgjohet duke thënë se ata nuk kanë luftuar për ta spastruar Kosovën etnikisht dhe se ai beson që “popullata serbe nuk i ka kryer krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë”.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë