Gazeta Si – Dy ditë pas arrestimit në flagrancë me 41.7 kg heroinë në makinë në Tiranë, Armando Papa ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për lëndën narkotike që kishte në makinë.
Këtë të hënë, ai ka pohuar se po shkonte në Rinas për të dërguar një porosi motrës së tij. Megjithatë, Gjykata e Tiranës ka caktuar për 31-vjeçarin masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ndryshe nga refuzimi që ka bërë para oficerëve të Policisë Gjyqësore, para togave të zeza ai ka deklaruar se po shkonte në Rinas për të dërguar një porosi motrës së tij.
“Kisha marrë një porosi nga motra t’ia çoja në Rinas. Mi futën në makinë dhe më thanë ‘ik’. Kurohem vazhdimisht, pasi vuaj nga epilepsia. Ngarkesën ma kanë futur në makinë pranë mbikalimit të Rinasit, më kanë ngatërruar”, – mësohet të ketë thënë ai para togave të zeza.
“Fusha e kuqe” u quajt operacioni që vuri në pranga 31-vjeçrin Papa. Në makinën e tij, tip “Benz”, u gjetën brenda një kutie 62 pako me heroinë. Në lidhje me këtë ngjarje, policia shpalli në kërkim një person tjetër, me iniciale R.G.
Ka dyshime se droga vinte nga Turqia dhe porositës i saj të jetë një eksponent i njohur i trafikut të narkotikëve në zonën e Kurbinit.
Droga me vlerë mbi gjysëm milion euro, është sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale. Droga transportohej me një automjet tip “Benz”, që drejtohej nga Armando Papa, banues në Fushë-Kuqe të Kurbinit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



