Nga Gazeta ‘SI’ - Treguesi i besimit në ekonomi shënoi rritje të fortë gjatë marsit, me 6.3 pikë në krahasim me shkurtin, duke arritur nivelin më të lartë historik të këtij treguesi. Të gjithë sektorët, përfshirë konsumatorët janë optimistë për të ardhme. Ndërtimi dhe industria parashikojnë një rënie çmimesh, ndërsa konsumatorët presin rritje tjetër.
Treguesi i besimit në ekonomi sipas sektorëve
Rritja më e madhe e besimit rezultoi në sektorin e shërbimeve, me 9.1 pikë përqindje i ndikuar kryesisht nga vlerësime optimiste mbi ecurinë aktuale të biznesit dhe për punësimin edhe në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan po ashtu me rritje.
Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 5.3 pikë përqindje, i ndikuar pozitivisht nga vlerësimet optimiste për prodhimin aktual dhe për kërkesën, kryesisht atyre të eksporteve. Edhe pritjet e bizneseve të industrisë për prodhimin dhe punësimin në të ardhmen janë rritur, ndërkohë, pritjet e tyre për çmimet raportohen në rënie.
Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 3.5 pikë përqindje, duke shënuar nivelin më të lartë historik për këtë kategori. Rritja këtë muaj u përcaktua si nga vlerësimet më të mira për aktivitetin aktual ndërtues, ashtu dhe për nivelin e porosive aktuale, ndërsa pritjet për çmimet në të ardhmen janë në rënie.
Treguesi i besimit në tregti u rrit me 5.1 pikë përqindje, i ndikuar kryesisht nga vlerësime shumë optimiste mbi ecurinë aktuale të biznesit dhe punësimin.
Treguesi i besimit konsumator vijoi prirjen disamujore rritëse, duke u rritur me 3.8 pikë përqindje në muajin mars. Përmirësimi këtë muaj u përcaktua nga pritje të mira për situatën e përgjithshme ekonomike, situatën financiare dhe gatishmërinë për blerje në shuma të mëdha për të ardhmen. Por, nga ana tjetër konsumatorët mendojnë se në të ardhmen çmimet do të vijojnë të rriten.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.