Futboll

Sarri ngre zërin: Futbolli vetëm biznes, pas 10 vjetësh s’do ta shohë askush!

Gazeta Si – Mauricio Sarri në ‘sulm’ pas rifillimit të kampionateve. Trajneri i Lacios, ‘babai’ futbollistik i mbrojtësit të Kombëtares, Elseid Hysaj, po shijon vendin e dytë që mban aktualisht. Megjithatë, ai ka rezerva dhe thekson se futbolli tashmë është kthyer në një biznes.

Në fillim Sarri foli për situatën e Lacios: “Këtë sezon, ne dhe shumë skuadra të vendeve të para, me përjashtim të Napolit, kemi lënë pikë me skuadrat e mesme apo të vogla. Arsyeja është se këto të fundit janë rritur në krahasim me të kaluarën. Duhet të jesh gjithmonë maksimalisht i impenjuar, pavarësisht kundërshtarit që ke përpara.

Mauricio Sarri. Gazeta Si, 2 prill 2023

Limiti i Lacios ka qenë ky, ka ardhur momenti të vendosim, nëse duam të jemi skuadra më e mirë e Romës, apo një nga më të mirat e Italisë. Janë edhe 11 ndeshje, një avantazh është se luajmë vetëm një herë në javë, por asgjë nuk është e sigurt.

Championsi është një mundësi shumë e mirë për ne, por jo një detyrim. Ka skuadra me organikë më të mirë se ne. Jam i kënaqur që Xakanji nuk u grumbullua me Italinë. Kalendari është i ngjeshur, futbolli është bërë i vështirë”, – theksoi trajneri italian.

Pastaj kritikat e forta për mënyrën si po menaxhohet futbolli: “Kam dëgjuar që bëhen krahasime me NBA-në, por aty luhet 48 minuta, kurse në futboll 90 minuta. Në basketboll lojtarët marrin më pak goditje se në futboll.

Dhe duan të shtojnë ndeshje të tjera, që do të thotë se shtohen dëmtimet dhe reduktohet spektakli. Futbollit është bërë biznes dhe mendoj se pas 10 vjetësh askush nuk do ta ndjekë më. Ndoshta njerëzit do të gjejnë gjëra më interesante për të parë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë