Gazeta Si – Një gol i mesfushorit të Fiorentinës pak pas fillimit të pjesës së dytë i ka dhënë fitoren 0-1 Fiorentinës në ‘San Siro’. Ishte fitorja e 5-të radhazi për skuadrën nga Firence, kurse ajo e drejtuar nga Inzagi pësoi humbjen e 3-të radhazi, e 4-ta në 5 ndeshjet e fundit. Interi është zyrtarisht në krizë.
Pritej kthesa e zikaltërve në javën e 28-të të Serisë A, por ka ndodhur e kundërta. Djemtë e drejtuar nga trajneri Simone Inzagi janë mposhtur sërish. Këtë herë nga një gjuajtje me kokë e Bonaventurës. Lukaku, titullar në këtë ndeshje bashkë me Korrean, shpërdoroi një rast shumë të mirë për gol.
Interi ishte ‘viktimë’ e vetes në fakt, me shumë raste të humbura nga Lukaku dhe Mkhitarian, ndërsa Barela nuk pati fat, pasi goditi shtyllën. Zikaltrit mbeten në vendin e 3-të, me 50 pikë, por rrezikojnë ta humbasin edhe atë me këtë paraqitje të dobët.
Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares, u fut në fushë në minutën e 78-të të ndeshjes, pa mundur ta ndihmonte skuadrën e tij për të marrë pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




