Futboll

Franca ndryshe nga Anglia, s’ka ndërprerje loje për lojtarët që agjërojnë

Gazeta Si – Në Francë jetojnë të paktën 6 milionë myslimanë, 1/10-a e popullisisë sipas studimit të fundit demografik të Institutit Kombëtar të Statistikave. Historia e viteve të fundit e kombëtares franceze është e mbushur me yje të besimit islam, nga Zidan te Benzema. Megjithatë, Federata Franceze e Futbollit nuk bën asnjë përjashtim.

Në Ligue 1 nuk do të ndodhë si në Premier Ligë, ku ndeshjet mund të ndërpriten për t’u dhënë mundësi lojtarëve myslimanë që agjërojnë të konsumojnë diçka në perëndimin e diellit.

Parisi ka ndjekur rrugën e kundërt, siç bëhet me dije në një komunikim të Komisionit federal të arbitrave. “Na është bërë me dije, – shkruhet në dokumentin që ka përfunduar edhe në rrjetet sociale, – se disa ndeshje janë ndërprerë për të lejuar lojtarët që agjërojnë gjatë Ramazanit të konsumojnë ushqim.

Këto ndërprerje nuk respektojnë statutet federale. Federata dhe organet e tjera të shërbimit publik duhet të mbrojnë vlerat themelore të Republikës së Francës. Ndalohen gjatë kompeticioneve sportive që lidhen me Federatën fjalimet politike, ideologjike, religjoze, sindikaliste”, – shkruhet në komunikatë.

Mosrespektimi i rregullores, shpjegon Komisioni, do të thotë procedura disiplinore dhe ndëshkim, sepse ‘stadiumi nuk është një vend i shprehjes politike dhe religjoze, por i neutralitetit, ku promovohen vlerat e sportit, barazisë, vëllazërisë dhe paanshmërisë’.

Rregullorja është në linjë legjislacionin francez, që nga 2004-a ka forcuar vazhdimisht masat për shfaqjen e shenjave religjoze në shkolla dhe së fundi edhe në institucionet publike. Është ndaluar edhe mbajtja e burkës në rrugë. Federata ka ndaluar mbajtjen e saj për futbollistet. Kjo është një temë që ka sjellë gjithmonë polemika dhe debate në Francë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë