Gazeta Si – Felipe Masa, 11 fitore në 139 gara në F.1 me Ferrarin në periudhën 2006-2013, ka qenë shok skuadre me Mikael Shumakerin vetëm një vit, në 2006-ën. Atë sezon gjermani zuri vendin e dytë dhe braziliani të tretin. Kampion doli Fernando Alonso.
Masa ka një vlerësim të madh për Shumakerin, prej të cilit mësoi shumë. “Shumaker ishte një shembull, – ka thënë për ‘Bild’ ish-piloti brazilian. – Sinqerisht, mendoj për të çdo ditë, ishte një shok shumë i mirë dhe jam krenar që kam punuar me të. Është një legjendë, 7 titujt e fituar janë një rekord, që do të zgjatë”.

“Nuk mendoj se Ljuis Hemilton do të shkojë në 8 tituj, – shton më tej Masa, – të paktën jo në Botërorin 2023 dhe me këtë makinë. Mercedesi nuk mund ta arrijë këtë gjë, mund të jetë shumë i zoti, por makina është e ngadaltë.
Favorit është Maks Vershtapen. Ajo që ai dhe Red Bull-i kanë treguar në dy garat e para është impresionuese. Për të arritur në atë nivel Hemilton dhe Mercedesi duhet të rikuperojnë më shumë se gjysmë sekondi për xhiro. Red Bull-i ndërkohë do të vazhdojë të përmirësohet”.
Masa vlerëson Hemiltonin si një nga më të mirët, por mendon se i vetmi që mund të kalojë Shumakerin është Vershtapen. “Është gabim të nënvlerësosh Ljuis Hemiltonin. Bashkë me Shumakerin dhe Airton Senën është nga më të mirët e Formula 1. Jo vetëm ekspert, ka një sensibilitet të madh drejtimi.

Vershtapen ka fituar 2 titujt e fundit, nuk ka pse të mos fitojë të tretin. Mund të shkojë edhe 6 tituj radhazi. Duhet të jetë perfekt për këtë arritje dhe aktualisht është. Ai nuk bën gabime, as Red Bull-i. Edhe për Shumakerin në kohët e Ferrarit ishte kështu. Janë të gjitha kushtet për një cikël Red Bull-i.
Vershtapen për momentin është rreziku më i madh për rekordin e Shumaker. Është si një robot, më duket më i pjekur për moshën që ka. Titujt e fituar e kanë rritur, është më i relaksuar. Situata mund të ndryshojë pas një apo dy vitesh, nëse Mercedesi punon mirë. Nga 2026-a përzihen më shumë kartat me motorët e rinj”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



