Futboll

Maroku në format Botërori, hedh në ‘tapet’ Brazilin në miqësore

Gazeta Si – Ndeshja e zhvilluar në Tangeri përfundoi 2-1 në favor të të zotëve të shtëpisë. Boufal dhe Sabiri realizuan golat për Marokun, ndërsa Seleçao barazoi përkohësisht me mesfushorin e Junajtid, Kasemiro.

Maroku vazhdon të mrekullojë edhe pas Botërorit të Katarit, ku arriti deri në gjysmëfinale. Brazili post Tite dhe pa Nejmarin të dëmtuar nuk mundi të linte shenjë në këtë ndeshje testuese. Në stolin brazilian debutoi Ramon Menezes, trajneri i përkohshëm i Brazilit, që është në pritje të Karlo Ançelotit. Në sulm luajti treshja Vinicius-Rodrigo-Roni.

Ndeshja u zhbllikua pas gjysmë ore lojë nga një gjuajtje e saktë me të djathtën e Boufal. Seleçao reagoi me nerv më pas, kishte zotërimin e topit, por në pushim shkoi në disavantazh. Në të dytën Brazili shtyu më shumë dhe barazoi me Kasemiron.

Më pas erdhi një tjetër ‘dush i ftohtë’ për amerikano-jugorët, që pësuan golin e dytë nga Sabiri. Në minutat e mbetura brazilianët nuk arritën ta shmangnin humbjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë