Futboll

Nisje e gabuar e eliminatoreve për Italinë, në ‘Maradona’ triumfon Anglia

Gazeta Si – E nis keq Italia fazën kualifikuese të Euro 2024. Në ‘Maradona’ të Napolit ‘axurrët’ humbën 1-2 ndaj Anglisë në ndeshjen e parë të Grupit C. Anglezët dominuan pjesën e parë, në të dytën Italia ndryshoi, por pa mundur të merrte rezultat pozitiv.

Para ndeshjes u bë homazh për ish-sulmuesin e shquar italian, Xhanluka Viali, i ndarë nga jeta pak muaj më parë. Ai ishte pjesë e stafit të Italisë dhe kjo ishte ndeshja e parë pa të.

Homazhi për Vialin. Gazeta Si, 23 mars 2023

Ndeshja u bë menjëherë e vështirë për Italinë, që pësoi gol në zhvillimet e një goditjeje këndi. Rajs ishte ai që dërgoi topin në rrjetën e Donarumës, duke u dhënë avantazhin miqëve në “Maradona”.

Në fundin e pjesës së parë Anglia dyfishoi me një penallti të akorduar nga VAR-i për një prekje topi me dorë të Di Lorencos. Kapiteni Herri Kejn shënoi golin që e futi atë në histori si shënuesi më i mirë me fanellën e “Tre Luanëve”. Grilish humbi një rast shumë të mirë për golin e tretë.

Debutuesi Retegui shkurtoi diferencën në 1-2, pas një pasimi shumë të bukur të Pelegrinit në pjesën e dytë. Trajneri Mançini freskoi skuadrën, duke forcuar sulmin dhe mesfushën, në kërkim të barazimit. Në minutat e fundit miqtë mbetën me 10 vetë, pasi Shou u ndëshkua me dy kartonë të verdhë në pak minuta.

Megjithatë, skuadra e Southgejt u mbrojt mirë dhe arriti të marrë një fitore të rëndësishme në startin e eliminatoreve të Europianit. Italia duket se ka ende shumë punë për të bërë që të kthehet në nivelin e kërkuar. Fitorja në finalen e Europianit të fundit ndaj Anglisë duket një kujtim i largët.

Eliminatoret e sotme
Kazakistan-Slloveni 1-2
Bosnnjë-Islandë 3-0
Danimarkë-Finlandë 3-1
Ital-Angli 1-2
Maqedoni e Veriut-Maltë 2-1
Portugali-Lihtenshtejn 4-0
San Marino-Irlandë e Veriut 0-2
Sllovaki-Luksemburg 0-0


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë