Gazeta Si – Real Madrid po planifikon një merkato të stilit të vet, me goditje të mëdha. Sipas ‘As’ dhe ‘Marca’, ‘Los Blancos’ po përgatisin terrenin për dy afrime të bujshme: Haland dhe Belingham.
Për sulmuesin norvegjez bëhet fjalë për një operacion që duhet të konkretizohet në 2024-ën, kur në kontratën e tij me Mançester Sitin aktivizohet një klauzolë prej 200-240 milionë eurosh, që vlen vetëm për skuadrat jashtë Anglisë.
Ndryshe është situata me mesfushorin e Borusia Dortmund, për të cilin klubi spanjoll ka avancuar me kontaktet konkrete për ta finalizuar blerjen ne verë. Oferta e madrilenëve është 100 milionë euro, plus 40 milionë nga bonuset.
Në pritje për të kuptuar të ardhmen e Benzema, Reali po tenton të prenotojë Erling Haland. Florentino Perez është gati të shfrytëzojë klauzolën për t’ia rrëmbyer bomberin Mançester Sitit. Duhen 200-240 milionë euro vetëm për ta transferuar lojtarin në Spanjë, pastaj shtohet paga monstruoze e sulmuesit.
Një operacion me kosto të lartë, që te Reali janë të vendosur ta kryejnë. Haland do të bëhej në këtë rast lojtari më i paguar i të gjitha kohërave (Nejmar 222 milionë, Mbape 180 milionë).
Haland nuk është i vetmi objektiv i madh i Realit. Prej kohësh klubi kampion i Europës ndjek Belingham dhe synimi është që në verë ai të veshë fanellën e bardhë. Përfaqësuesit e Florentino Perez kanë takuar njerëzit e afërt të lojtarit anglez për t’i bindur ata që mesfushori të zgjedhë Madridin.
Në janar pati një ofertë rreth 100 milionë euro për mesfushorin e Borusias, kurse në qershor pritet që Reali ta rritë ofertën në 140 milionë euro bashkë me bonuset.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.