Futboll

Deshamp zgjedh Mbape kapiten, Grizman kërcënon me largim. Franca s’ka kurrë qetësi

Gazeta Si – Tension në dhomat e zhveshjes të Francës pas vendimit të trajnerit Didier Deshamp për t’ia dhënë Kilian Mbapesë shiritin e kapitenit. Ai do të zëvendësojë portierin Hugo Loris, që i dha lamtumirën kombëtares.

Zgjedhja e trajnerit ka sjellë shpërthimin e sulmuesit Antuan Grizman, i 5-ti në klasifikimin e lojtarëve me më shumë ndeshje (117) me fanellën e Francës. Mes Grizman dhe trajnerit Deshamp ka pasur një debat të ashpër, madje lojtari ka kërcënuar me largim nga “Gjelat”.

Kilian Mbape do jete kapiteni i ri i Frances. Gazeta Si, 21 mars 2023

Kjo është çështja e radhës te francezët, pas zënkave, skandaleve seksuale, lamtumirave të sforcuara, shkarkimeve, sherreve jashtë fushe dhe dyshimeve për mallkime shtrigash. Grizman nuk është i vetmi që nuk e ka pëlqyer vendimin për të graduar Mbape kapiten.

Për nga vjetërsia shiriti i takonte Grizmanit, ndaj dhe ky i fundit ka reaguar. Në të kaluarën, administrimi i grupit nga ana e Deshamp ka ngritur diskutime shpesh herë. Rasti më i bujshëm është ai i Karim Benzema. Fituesi i “Topit të Artë” mbeti jashtë Botërorit të Katarit nga trajneri. Pati një zënkë dhe polemika, sepse sulmuesi u rikuperua në kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë