Futboll

Flamurtari ndryshon trajner, në Vlorë janë të irrituar edhe me FSHF-në

Gazeta Si – Dy ndeshjet e fundit kanë sjellë dy humbje për Flamurtarin, duke prishur jo pak atmosferën në prag të 100-vjetorit të krijimit të klubit vlonjat. Rikthimi në Superiore, pas disfatës me Dinamon është vënë në pikëpyetje dhe drejtuesit kanë reaguar menjëherë.

Trajneri Marselo Troisi është larguar nga detyra dhe vendin e tij pritet ta marrë italiani Diego Longo, që në Shqipëri ka drejtuar Kukësin. Ai ishte i pranishëm në tribunë gjatë ndeshjes Flamurtari-Dinamo, ku vlonjatët humbën 0-1 dhe zbritën në vend të tretë, duke kompromentuar objektivin sezonal. Longo është kandidati kryesor dhe pritet vetëm zyrtarizimi.

Diego Longo, trajneri qe pritet te marre drejtimin e Flamurtarit. Gazeta Si, 21 mars 2023

Kanë mbetur edhe 6 ndeshje nga fundi i kampionatit të Kategorisë së Parë dhe vlonjatët duhet të ngjitin të paktën një shkallë në renditje, që 100-vjetori t’i gjejë sërish në elitë. Situata është e vështirë dhe për më tepër në Vlorë ka edhe një irritim të madh për mënyrën si trajtohet Flamurtari.

Gjatë ndeshjes me Dinamon pati tension pas penalltisë së dhënë në favor të kryeqytetasve, që vendosi fatin e sfidës me dy rivalëve. Tifozët reaguan të indinjuar ndaj gjykimit. Ata hodhën sende në fushë, ndërsa pas ndeshjes bllokuan për disa minuta edhe hyrjen e stadiumit.

Administratori Sinan Idrizi shpërtheu po ashtu pas ndeshjes së fundit me pretendimin se FSHF, me anë të gjyqtarëve të saj, po dëmton Flamurtarin, duke minuar investimin e tij për rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. Madje, kreu i klubit vlonjat ka pasur edhe një telefonatë me Armand Dukën, presidentin e FSHF-së, për këtë çështje.

Kujtojmë që edhe gjatë sezoneve të fundit që vlonjatët kanë qenë në elitë kanë pasur përplasje të shpeshta me FSHF-në, gjithmonë duke iu referuar arbitrimit, që në shumë raste ka lënë për të dëshiruar për hir të së vërtetës. Nuk kanë munguar as ironitë dhe batutat e vlonjatëve ndaj institucionit që drejton futbollin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë