Gazeta Si – GJKKO ka rikonfirmuar masën e sigurisë të dhënë në mungesë, “arrest me burg” për Leonard Daçin, jurist në Bashkinë e Bulqizës, pjesë e grupit të të zyrtarëve të këtij institucioni që u arrestuan për korrupsion pak ditë më parë.
Daçi së bashku me 12 persona të tjerë, mes tyre kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla, akuzohen për abuzim me tenderin e Ujësjellësit, me vlerë 3.2 dollarë.
Por përveç akuzës së ngritur nga SPAK, Daçi u bë “protagonist”, pasi të shtunën, teksa gjykata jepte masat për të arrestuarit, 8 zyrtarë të bashkisë dhe 4 përfaqësues të subjekteve private, u shfaq në gjykatë me avokatin e tij.
Ndonëse autoritetet kishin njoftuar ekzekutimin e urdhërarrestit për Daçin, ai në fakt ishte i lirë dhe u vetëdorëzua pranë autoriteteve.
Ndërkohë, 10 prej të akuzuarve, mes të cilëve dhe kryebashkiaku Alla dhe nënkryetarja Enkeleida Lleshi u lanë në burg, ndërsa për dy përfaqësues të subjekteve private, gjykata caktoi masën “arrest në shtëpi”.
Sipas SPAK, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën dhe duke shkelur ligjin, kanë favorizuar dy firma të ndryshme private në fitimin e një tenderi.
Gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, kryebashkiaku i Bulqizës i hodhi poshtë këto pretendime, duke cilësuar akuzat si politike.
Megjithatë hetimet e SPAK kanë dalë në përfundimin se kryetari i bashkisë ka kryer disa shkelje penale gjatë procedurës së prokurimin publik për ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë në një lagje të Bulqizës
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.