Lajme

Thirrjet raciste në Bularat, Ngjela: Rama, i pavlerë. PDIU: Kacifas, jo hero, terrorist

Varrimi i sotëm i Kostandin Kacifas i shoqëruar me thirrjet raciste të dhjetëra e qindra grekë të mbërritur nga Greqia në Bularat ka shkaktuar reagime nga radhët e politikës. Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së, Mesila Doda e cilëson si tepërt një nderim të tillë, pasi sipas saj, Kacifas është vetëm një terrorist, duke shtuar se si i tillw nuk mund të trajtohet si hero.

“Ne shqiptarët e kemi zakon që nuk flasim keq për të vdekurit e duke ju përmbajtur këtij kodi kam heshtur deri më tani. Po që për një terrorist na shkulen deputetë e na tregojnë nderimin për terroristin kjo është e tepërt. Kacifas nuk është heroi i Bularatit, është turpi i tyre dhe i minoritareve shqiptarë që mori armën e doli në mes të fshatit duke shtënë. Ekstremizmi nuk nderohet, dënohet. E mos e harroni, sa kohë do ketë varreza të ushtarëve greke do ketë edhe provokime të forcave të errëta paramilitare greke në jug të vendit..”, deklaroi Mesila Doda

Mesila Doda, zyrtarja e PDIU

Për këtë ceremoni dhe për thirrjet antishqiptare  reagoi edhe kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, avokat Spartak Ngjela. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ngjela thekson se ekstremistët grekë erdhën dhe hynë në territorin shqiptar për shkak të qëndrimit që mbajti qeveria shqiptare.

“Varroset me ceremonial një terrorist. Njëlloj si të vrarët e Mafies apo terrorizmit ndërkombëtar. Një ceremoni varrimi që u fillua si heroike dhe përfundoi qesharake. Ca të çmendur që bërtasin; dhe pleq të Anadollit që as vetë nuk e dinë përse kanë ardhur në Shqipëri. Janë për të qarë hallianë. Shteti grek në krizë që vjen dhe provokon shqiptarët në Shqipëri. Por kanë fushë veprimi nga një kryeministër pa asnjë vlerë kombëtare, që me naivitet, njëlloj si Saliu, të dy bashkë menduan se mund të destabilizonin Shqipërinë me ca lapaculë anadollakë të ardhur nga Greqia. Asgjë nuk mund t’i bëjnë dot Shqipërisë këta njerëz pa asnjë vlerë, që vinë këtu për të fyer shqiptarët. I patë? Të çmendurit që kërkojnë anti historinë. Asgjë nuk iu bëjnë dot shqiptarëve, sepse gjithçka po shkon drejt bashkimit gjithëshqiptar në Ballkanin Perëndimor”, shkruan Ngjela.

Spartak Ngjela/Foto LSA

Sipas avokatit “Ky turp i sotëm, do të jetë sigurisht fakt dobiprurës në ecurinë drejt rikthimit të personalitetit shqiptar në Ballkanin Perëndimor.  Janë të humbur historikë këta grekë që bërtasin sot në jerm në Shqipëri… por këtu nuk ua kanë fajin shqiptarët, por ata që në 150 vjet i kanë gënjyer për historinë e tyre të falsifikuar. Shqipëria po shkon e sigurt drejt bashkimit gjithëshqiptar, duan apo nuk duan neoandartët qesharakë grekë”.

Thirrjet raciste janë dënuar me forcë edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ku nëpërmjet një deklarate për median shpreh indinjatën e thellë për atë çfarë ndodhi sot në Bularat.

“Një grup personash të ardhur nga Greqia shfrytëzuan ceremoninë mortore të shtetasit Kostandin Kacifa, duke e kthyer atë në një ngjarje të tensionuar, ku u shpreh qartazi gjuha e urrejtjes ndaj popullit shqiptar nëpërmjet parullave nacionaliste, ksenofobisë dhe ekstremizmit që nxit dhunën dhe përçarjen, veprime këto të dënueshme edhe ligjërisht. Shfaqje të tilla që i përkasin të kaluarës së largët nuk kanë asgjë të përbashkët me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis popullit shqiptar dhe atij grek, si dhe me standardet europiane, për të jetuar në paqe, demokraci dhe stabilitet. KShH i sugjeron Monitoruesit Grek të Helsinkit që të reagojë ndaj fenomeneve të tilla, edhe për faktin se ato kanë qenë të pranishme para disa ditëve në protestën e mbajtur në qendër të Athinës”, thuhet në reagimin.

KShH thekson do të vazhdojë edhe në të ardhmen të japë kontributin e tij modest për forcimin e marrëdhënies miqësore midis popullit tonë dhe atij grek kundër çdo forme të ksenofobisë dhe ekstremizmit, që synon të helmojë atmosferën e shëndoshë për integrimin e mëtejshëm drejt Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë