Menaxhim

Nga 20 marsi nisin aplikimet për përfitimin e subvencioneve direkte për bujqësinë / Masat dhe kriteret

Aplikimet për përfitimin e subvencioneve direkte për bujqësinë do të nisin nga data 20 mars deri më 11 prill 2023.

Udhëzimi i përbashkët nga ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave përcakton se mbështetja për fermerët do të zbatohet nëpërmjet 9 masave.

Për herë të pare këtë vit do të aplikohet edhe skema me subvencione në mbështetje të fermave me jo më pak se 10 krerë lopë në vlerën e 10.000 lekëve për krerë dhe mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1.000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje.

Gjithashtu do të vijojnë të mbështeten fermat organike në vitin e parë, në vlerën 100.000, në vitin e dytë dhe tretë 150.000 lekë dhe 200.000 për fermë të certifikuar.

Në total fondi për skemën kombëtare të bujqësisë është 3.3 miliardë lekë ndërsa vitin e shkuar mbështetja nëpërmjet skemës kombëtare të bujqësisë arriti në vlerën e 4.9 miliardë lekëve.

 Masa 1

Për tufën bazë të matrikuluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 10 (dhjetë) krerë lopë, në vlerën deri në 10.000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por jo më shumë se 500.000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt.

Masa 2

Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën deri në 1.200 (njëmijë e dyqind) lekë/krerë, por jo më shumë se 360.000 (treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë për subjekt.

Masa 3

Mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1.000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150.000 (njëqind e pesëdhjetë) mijë) lekë për subjekt.

Masa 4

Mbështetje për fara/fidanë dhe impute të tjera në vlerën deri në 200.000 (dyqind mijë) lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermerë individual ose grup fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për aplikant. Mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1.000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt

Masa 5

Fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100.000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë, 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, vitin e tretë 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200.000 (dyqind mijë) për fermë të certifikuar.

Masa 6

Implementimi dhe certifikimi Global GAP, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësorë të certifikueshme, në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore: por jo më shumë 175.000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, në sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha; por jo më shumë se 500.000 lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 ha në fushë të hapur.

Masa 7

Për rinovimin e infrastrukturës së anijes së peshkimit. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 13.500.000 (trembëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekë për anije peshkimi të pajisur me leje të vlefshme peshkimi tregtar dhe jo më shumë se 20.000.000 (njëzet milionë) lekë për subjekt. Rinovimi i anijes së peshkimit përfshin: i. Blerjen dhe instalimin e motorit kryesor, por jo më shumë se 7.000.000 (shtatë milionë) lekë; ii. Blerjen dhe instalimin e motorit ndihmës (gjeneratori detar), por jo më shumë se 1.000.000 (një milion) lekë; iii. Blerjen dhe instalimin e vinçit të anijes, por jo më shumë se 3 500 000 (tre milionë e pesëqind mijë) lekë. Vinçi përfshin edhe agregatet, hidromotorin, pompë vaji friksion, multiplikator dhe tubacionet; iv. Blerjen dhe instalimin e kamios (koplunit), por jo më shumë se 3.000.000 (tre milionë lekë); v. Riparim i përgjithshëm i anijes, por jo më shumë se 9,000 000 (nëntë milionë) lekë. Në riparimin e përgjithshëm, përveç zërave të përcaktuar në dokimin periodik sipas nënpikës “vi”,përfshihen dhe zëvendësim llamarine ose ndërrim dërrase; vi. Dokimi periodik i anijes, por jo më shumë se 3,000,000 (tre milionë) lekë. Dokimi periodik përfshin ngritjen dhe uljen nga kantieri, pastrimin dhe heqjen e bojës së vjetër, blerje boje, stuko, protektor (zinqe), riparim aksi helike.

Masa 8

Mbështetje për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore, tregjeve të kafshëve të gjalla ose thertoreve për shoqëritë tregtare me kapital 100% shtetëror, të zotëruara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në vlerën jo më shumë se 30.000.000 (tridhjetë milion) lekë për subjekt.

Masa 9

Mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.

KRITERE TË PËRGJITHSHME TË PËRFITIMIT

  1. Aplikanti duhet të jetë shtetas shqiptar ose person juridik ku të paktën njëri prej ortakëve/aksionerëve është shtetas shqiptar.
  2. Përfitues sipas masave mbështetëse mund të jenë fermerë individualë, grup fermerësh, subjekte me status fizik, juridik, SHBB dhe GVV.
  3. Fermerët individualë të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv.
  4. SHBB-të, GVV-të, personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS me status aktiv.
  5. Përfituesi të këtë bërë “shlyerjen koherente të sigurimeve shoqërore”. Aplikanti për masat mbështetëse direkte me nr 1-6, në rast se rezulton që nuk e ka realizuar “shlyerjen koherente të sigurimeve shoqërore” në momentin e aplikimit, duhet të paraqesë pranë Agropikës më të afërt ose në zyrat qendrore të AZHBR-së, ose me postë në zyrat qendrore të AZHBR-së, vërtetimin e shlyerjes së detyrimeve.
  6. Për investimet, ofertat/faturat në valutë të huaj do të zbatohet kursi i këmbimit të Bankës së Shqipërisë në ditën e hapjes së aplikimit.
  7. Faturat/aktet e zhdoganimit, për masat mbështetëse në përputhje me kriteret përkatëse, duhet të jenë të lëshuara gjatë periudhës 2022-2023.
  8. Për masat mbështetëse të investimeve, punimet, faturat/aktet e zhdoganimit, dhe transaksionet bankare duhet të jenë pas datës së lidhjes së kontratës.
  9. Të gjitha materialet/pajisjet të jenë të reja.
  10. Financimi i shumës së përfituar bëhet në bankat e nivelit të dytë.
  11. I gjithë dokumentacioni i kërkuar të jetë në gjuhën shqipe ose në rast se është në gjuhë të huaj të jetë i përkthyer nga një përkthyes i autorizuar dhe i vërtetuar nga noteri.

Kriteret e përcaktuara në pikat 1-5, të këtij kreu, vërtetohen nga sistemi e-Albania ose nga burime të tjera zyrtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë