Drejtësia

Shtyhet seanca në gjykatë për armëmbajtje pa leje, por Fatjon Murati u arratis para atentatit nga Shqipëria

Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka shtyrë këtë të mërkurë seancën gjyqësore në ngarkim të Fatjon Muratit dhe Kristian Gjinit të akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Murati, i cili dyshohet se është arratisur jashtë vendit, është pronari i lokalit në "Don Bosko", ku disa ditë më parë u vra një banakiere dhe u plagosën 5 të tjerë pas të shtënave me armë.

Shkak i shtyrjes së seancës ishte mungesa e avokates së Gjinit, ndërsa përfaqësuesi ligjor i Muratit ishte i pranishëm.

Sot priteshin konkluzionet e prokurorisë, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 29 mars.

Mësohet se disa javë më parë Fation Murati, i cili ndodhej në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, kishte kërkuar leje një mujore që të dilte nga shtëpia nga ora 08:00 deri në orën 20:00, për arsye shëndetësore, por i është refuzuar.

Mbrëmjen e 12 marsit breshëri plumbash u derdhën në lokalin e Fation Muratit në zonën e “Don Boskos”, ku viktimë mbeti banakierja, Mimoza Paja.

Të shtënat kapen edhe xhaxhain e pronarit të lokalit Shehat Murati, i ulur në tavolinë me të vëllanë dhe të afërm të tjerë të Fatjon Muratit.

Nga ngjarja mbetën të plagosur 4 klientë, ndërsa disa të tjerë shpëtuan pasi ndodheshin në pjesën më pak të ekspozuar nga këndi ku u qëllua.

Shënjestër kryesore e atentatit dyshohet të ketë qenë Fation Murati, person me precedentë kriminalë, i cili pak kohë më parë është liruar nga burgu nga Gjykata e Apelit me një masë më të butë sigurie.

Murati ishte lënë në “arrest shtëpie”, por pas kontrolleve të ushtruara pas atentatit nuk u gjet në banesë. Dyshohet se 33-vjeçari është larguar nga Shqipëria në drejtim të Kosovës.

Hetuesit dyshojnë se pas këtij atentati fshihet përplasja mes dy grupeve kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë