Motosport

Mercedesi përgatit ndryshimin e madh, makinë të re që nga gara e Imolas

Gazeta Si – Qëndrimi besnik ndaj filozofisë së vet nuk ka funksionuar. Për këtë arsye, te skuderia e Mercedesit janë gati të ndryshojnë projektin e makinës W14 shumë shpejt. Ka madje një kohë të fiksuar: në fund të majit, në Imola.

Në atë moment parashikohet të shihet në pistë versioni B i “Shigjetës së Zezë”. Drejtuesit e Mercedesit kanë vendosur të braktisin konceptin e “size zero” për një konfiguracion aerodinamik më tradicional dhe të ngjashëm me atë të rivalëve.

Toto Volf dhe Ljuis Hemilton. Gazeta Si, 14 mars 2023

Fjalët e Toto Volf në garën e Bahrejnit ishin të qarta. Mercedesi nuk mund t’ia lejojë vetes të humbasë më shumë kohë, duke këmbëngulur në ide që nuk funksionojnë, sepse mund ta paguajë shtrenjtë edhe sezonet e ardhshme. Vështirësitë e hasura gjatë testeve dhe garës së parë të Botërorit kanë bërë që të përshpejtohet vendimi.

Një ndryshim që vjen edhe për faktin se Aston Martin, që e ka ndërtuar makinën 2023, duke përdorur galerinë e erës së Mercedesit dhe ka të njëjtat ‘power unit’, ka bërë një hap përpara. Aston Martin ka parakaluar skuadrën 8 herë kampione bote. “Është e qartë, – ka theksuar Volf, – se aerodinamika është problemi ynë”.

Mercedesi ka vendosur të ndjekë konceptet që ka parë te Red Bull-i dhe që janë imituar gjerësisht nga skuderitë e tjera, duke filluar nga Aston Martin. Drejtuesit shpresojnë për përmirësimin në pjesën e dytë të sezonit dhe mbi të gjitha për të hedhur bazat e rikthimit në maja në 2024-ën.

Një iniciativë e madhe kjo, po të kemi parasysh se sezoni ka nisur dhe masat shtrënguese të “budget cap”. Megjithatë, ndoshta është mënyra e vetme për të qenë kompetitivë dhe për të bindur Ljuis Hemiltonin të qëndrojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë