Futboll

Arsenali ‘fluturon’ në derbi, Trossard në histori. Casemiro ‘tradhton’ United

Arsenali vazhdon të marshojë drejt titullit. Skuadra e Mikel Artetës triumfoi 0-3 në derbin e Londrës përballë Fulhamit. Gjithçka u zgjidh në 45 minutat e para.

VAR-i anuloi golin e Gabriel Martinellit, por Arsenali nuk u ndal. Fantastik Leandro Trossard, i cili dhuroi tri asiste për Gabriel, Martinellin dhe kapitenin Odegaard.

Belgu u fut në historinë e Premier League si futbollisti i vetëm që dhuron tri asiste në pjesën e parë të një dueli të luajtur në transfertë. Në pjesën e dytë u fut në fushë edhe Gabriel Jesus, i cili ka lënë pas krahëve dëmtimin e rëndë.

Fitorja e sotme e rikthen në 5 pikë diferencën mes Arsenalit kryesues dhe Manchester City. Manchester United nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 përballë Southampton në “Old Trafford”.

“Djajtë e Kuq” luajtën me një lojtar më pak prej minutës së 34’, moment kur Casemiro u ndëshkua me karton të kuq. Pika i shërbeu më shumë “Shenjtorëve”, që po garojnë për objektivin mbijetesë.

Pa fitues u mbyll edhe West Ham-Aston Villa (1-1). Dy golat u realizuan në pjesën e parë. Ollie Watkins kaloi në avantazh skuadrën e Unai Emery, por vendasit evituan humbjen falë golit të Mohamed Said Benrahma. (Supersport)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë