Vllaznia do të kërkojë sot të mos humbë “treni e fundit”, për në kampionat për sa i përket pretendimeve për titull. Një sfidë e tillë konsiderohet edhe nga ana e vetë trajnerit Mirel Josa. Ai në konferencën e zakonshme para takimeve është shprehur për objektivat e Vllaznisë në këtë takim. Kuqeblutë do të kërkojnë të kthen te fitorja në kampionat pas 3 takimeve që nuk e kanë arritur një gjë të tillë. Ai ka folur edhe për çështjen Latifi.
Shumë oshilacione te Vllaznia, çfarë po ndodh me këtë skuadër?
Është normale që të kemi këtë shqetësim. Pas bilancit të këtyre ndeshjeve jemi sërish në luftë për titullin. Kemi zhvilluar një ndeshje Kupe të cilën nuk e shikoj, por meqë ndeshja e Kupës është fituar dhe kjo do të thotë që do të jetë si ndeshja e nesërme (sotme), unë mendoj se ndeshja është kyçe për të dyja skuadrat. Unë e kam thënë se nuk ka llogari afatgjata në këtë drejtim. Do të shikojmë llogaritë e ndeshjes së radhës dhe pas ndeshjes do të shikojmë sesi do të vazhdohet.
Ndaj Partizanit keni një bilanc pozitiv, po a besoni se do ta vazhdoni sërish edhe në këtë takim?
Futbolli nuk është statistikë. Futbolli është gjendja aktuale dhe skuadra. Nëse do t’i referohem takimit me Teutën nuk ishim ku duhet, pavarësisht se luanim përballë një skuadre që është shumë në formë. Por për mua barazimi ishte pozitiv, pavarësisht gjithë kushteve të lojës që u zhvilluar kjo ndeshje. Ne zhvilluam një lojë si pozitive si negative. Ne morëm një pikë dhe jemi në objektivat tona dhe prandaj jam i kënaqur.
Profesor keni pasur probleme si me Balajn apo edhe Latifin në atë takim?
Unë jam munduar që të mbaj një frymë pozitive në skuadër. Pjesa dërmuese ma kanë treguar këtë frymë. Për mua, dua t’i vë më shumë vëmendje frymës së grupit sesa të individit. Kështu që unë sidomos me Balën jam sqaruar individualisht. Duhet të kemi një gjë parasysh. Mbi skuadrën nuk vë individin.
Po për Latifin?
Po, ka një vërtetësi të tillë dhe klubi ka marrë masa në këtë drejtim, qoftë masa financiare dhe qoftë masa, të cilat kanë të bëjnë me aktivizimin e tij në vazhdimësi. Nuk do të jetë i gatshëm për nesër (sot).
Është skuadra nën presion?
Skuadra nuk është fare nën presion, ajo thjesht duhet të zbatojë detyrat që i them unë. Nëse ne nuk e humbim kontrollin brenda përbrenda skuadrës, atëherë mund të them se jemi ne rrugë të drejtë.
Një ndeshje përcaktuese për sa i përket titullit?
Po, po, është përcaktuese. Kjo ndaj Partizanit është vërtet përcaktuese dhe si rezultat pakësimi i ndeshjeve shton më shumë përgjegjësitë për çdo takim. Mos të harrojmë se kjo skuadër është në luftë qoftë për kampionat e qoftë për Kupë. Tani nuk është vetëm Tirana e Partizani, tani është edhe Egnatia. Nga java në javë llogaritë ndryshojnë dhe kjo është tanimë e vërtetuar. Mua më intereson vetëm ekipi im.
Dy sfida direkt me Partizanin në kampionat dhe Kupë, cila është realisht më e lehtë për t’u kaluar, kjo e kampionatit apo ajo e Kupës?
Ju po bëni llogaritë për Kupën, ndërsa unë po bëj llogaritë vetëm për ndeshjen e kampionatit dhe shikoj vetëm ndeshjet e kampionatit. Ndërsa dua të shtoj se respektoj të gjithë skuadrat njësoj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




