Futboll

Krahasoi qeverinë britanike me nazistët për klandestinët, BBC pezullon Geri Linekerin

Gazeta Si – Geri Lineker, ish-ylli i Anglisë, Leiçesterit, Evertonit, Barcelonës dhe Totenhemit, nuk do të jetë më, – të paktën përkohësisht, – një nga personazhet e BBC-së. Ai është pezulluar nga emisioni “Match of the Day” pas polemikave të ditëve të fundit për një postim, ku kritikonte politikat e qeverisë për emigracionin.

Lineker akuzohet nga shumë të përditshme britanike. “Me aktivitetin e fundit në rrjetet sociale Lineker ka shkelur rregullat tona, – qëndrimi i BBC-së. – Duhet të qandrojë larg qëndrimeve për çështje politike”.

Gjiganti mediatik shpjegon po ashtu se ka pasur diskutime të gjata me Gerin, deri në vendimin se për momentin është më mirë që ish-sulmuesi të bëjë një hap prapa: “Geri është gjithmonë i pari kur flitet për futboll dhe sport. Nuk kemi dyshuar kurrë për temat që i ka për zemër, por gjithmonë e kemi rekomanduar të mos hyjë në vorbulla politike”.

Të martën qeveria britanike bëri të ditur linjën e re në lidhje me çështjen e klandestinëve, duke u mohuar atyre të drejtën për të kërkuar azil, nëse zbarkojnë ilegalisht në ishull.

Lineker reagoi në Tuiter, duke e përkufizuar një masë “jashtëzakonisht mizore, drejtuar njerëzve më vulnerabël. Kjo gjuhë nuk dallon shumë nga ajo e përdorur nga Gjermania në vitet 30”.

Replika e ministres së brendshme, Suella Braverman, nuk vonoi. “Një qëndrim destruktiv, familja ime e ndjen shumë çështjen e Holokaustit, sepse burri im është hebre”, – shkruajti ajo. Lineker është pjesë e emisionit “Match of the Day” nga 1999-a dhe është personaliteti më i paguar, me më shumë se 1.5 milionë euro në 2020-21-shin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë