Futboll

Fundi i një tabuje! AFP, reportazh për futbollin e femrave në Shqipëri

Gazeta Si – Vllaznia në veçanti dhe futbolli i femrave në përgjithësi kanë qenë në fokusin e agjencisë së njohur të lajmeve, AFP. Një reportazh special i saj sjell në vëmendje rritjen e madhe të skuadrës shkodrane, që ka thyer tabutë në Shqipëri, duke shkuar deri në grupet e Ligës së Kampionëve.

Reportazhi evidenton edhe tabu të tjera të thyera nga femrat në futbollin shqiptar, siç është rasti i arbitres Emanuela Rusta, e para arbitre femër që gjykon edhe në nivelin më të lartë. “Duhet të luftosh për të arritur atë që do”, – thotë arbitrja nga Elbasani për AFP.

Arbitrja Emanuela Rusta, e cila ka folur per AFP. Gazeta Si, 8 mars 2023 (Foto: AFP)

Rusta, që punon edhe si mësuese e edukimit fizik, shton: “Kam vuajtur, por prej shumë vitesh të drejtat e grave kanë shënuar progres. Ato janë më të shumta në poste me përgjegjësi. Arbitrimi nuk është çështje gjinie, por aftësie”.

Pastaj fokusi i reportazhit kalon te Vllaznia, që ka shënuar vetëm rritje që pas krijimit të saj në 2009-ën. Suksesi i kësaj skuadre kulmoi me kualifikimin historik në grupet e Ligës së Kampioneve, ku luajti ndaj Çelsit, Realit dhe PSG-së.

“Çelësi i suksesit qëndron te këto vajza, të cilat ia kanë dalë të mposhtin paragjykimet. Futbolli nuk është vetëm një sport burrash”, – ka thënë për AFP presidenti i skuadrës, Lazër Matija.

Megi Doçi, sulmuese e Vllaznisë dhe Shqipërisë, është shprehur: “Jam rrëzuar, kam vuajtur, kam qarë dhe çdo herë jam ngritur dhe kam luftuar. Është çështje zemre. Është një sfidë dhe peshën e këtij mentaliteti e ndjejmë gjithmonë. Këtu nuk janë mësuar ende t’i shohin vajzat të luajnë futboll.”

Kombetarja e femrave ne futboll. Gazeta Si, 8 mars 2023

Të rralla mund të jenë lojtaret që janë edhe nëna, si Ardiola Raxhimi, portierja 24-vjeçare e Vllaznisë, që gjithashtu drejton edhe një sallon bukurie për burra. “Nuk kam dashur asnjëherë të zgjedh mes karrierës dhe jetës personale. Kam dashur gjithmonë të jem e lumtur me të dyja”, thekson Ardiola, e cila ka një djalë dy vjeç.

“Për shumë vite futbolli i vajzave ishte një tabu, pasi konsiderohej si një sport burrëror. Por ne e kemi fituar këtë betejë”, – thotë në këtë reportazh presidenti i FSHF-së, Armand Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë