Futboll

Dita e derbit, Partizani dhe Tirana pritet të ndezin kryeqytetin në mbrëmje

Gazeta Si – Kjo javë nis me derbin e madh të kryeqytetit. Në ‘Air Albania’, në orën 19:00, Partizani dhe Tirana përballen sot në një sfidë, ku do të mundohen t’i japin drejtim sezonit.

Partizani ka mbi vete presion, ndryshe nga Tirana që vjen pak më komode në këtë ndeshje. Të kuqtë po kalojnë një krizë, vijnë pas dy humbjeve radhazi. Janë barazuar me pikë nga Egnatia, me të cilën ndajnë vendin e dytë. U mundën edhe nga Vllaznia na Kupë, kështu që sot për ta vlen vetëm fitorja. Fati i trajnerit Kolela po ashtu varet nga derbi i sotëm.

Nga nje derbi mes Partizanit dhe Tiranes. Gazeta Si, 6 mars 2023

Skuadra e kuqe në fakt ka humbur jo pak në kualitet pas merkatos së janarit, megjithatë në klub besojnë se mund të rivalizojë për titullin kampion. Telushi është kthyer në qendërmbrojtës te Partizani, ndërsa sulmi nuk po arrin ta thotë fjalën e vet.

Tirana kryeson me 3 pikë diferencë dhe ndoshta sot do ta pranonte edhe barazimin, por sigurisht që ‘derbi fitohet, nuk luhet’, siç është shprehja për ndeshje të tilla. Skuadra e Shehit nuk ka presionin e Partizanit, por e ka të qartë se humbja e mundshme do ta komplikonte shumë situatën.

Edhe Tirana ka humbur lojtarë me cilësi në merkaton e dimrit, si Xhixha, Ismailgeci dhe Limaj. Lushkja nuk po arrin të shfaqë potenacialin e tij ende, kurse Abazaj ka qenë i dëmtuar. Derbi mbetet derbi dhe sot në mbrëmje pritet që dy rivalët historikë të dhurojnë emocione.

Luhen sot edhe dy ndeshjet Teuta-Vallznia dhe Laçi-Kukesi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë