Gazeta Si – Kryendeshja e javës së 25-të të Serisë A, Roma-Juventus, u vendos nga një ‘silurë’ e mbrojtësit Mançini. Në ‘Olimpico’ përfundoi 1-0, me Alegrin që frenon vrapimin drejt Europës.
Me këtë fitore Roma ka zënë vendin e katërt në klasifikim, duke u futur kështu në zonën Champions. Në vend të 5-të ka zbritur Milani, që ka të njëjtën kuotë pikësh, 47.
Për të zhbllokuar një ndeshje pa shumë emocione mendoi Xhanluka Mançini, i cili befasoi me një gjuajtje nga distanca në fillim të pjesës së dytë. Juventusi ishte pa fat, pasi goditi tri herë shtyllën, një herë në të parën dhe dy herë në të dytën.
Në fundin e ndeshjes një episod solli një karton të kuq ‘rekord’ për Kean. Vetëm 40 sekonda pasi kishte hyrë në fushë, ai u ndëshkua me të kuq për një faull reagimi ndaj Mançinit. Skuadra e Alegrit bie pas 4 fitoresh radhazi dhe mbetet në kuotën e 35 pikëve.
Interi ndërkohë ka mundur 2-0 Leçen dhe ka rimarrë vendin e dytë në renditje. Mkhitarian dhe Lautaro Martinez shënuan 2 golat e fitores për skuadrën zikaltër. Kristjan Asllani nuk luajti asnjë minutë në këtë ndeshje, ashtu sikurse edhe Marash Kumbulla ndaj Juventusit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




