Futboll

Bylis-Erzeni mbyllet me grushte, Egnatia forcë e dytë në Superiore

Gazeta Si – Dy ndeshjet e para të javës së 24-të të Superiores kanë sjellë befasi në aspektin sportiv, por gjithashtu kanë rikthyer edhe pamjet e shëmtuara të dhunës në fushë. Në Ballsh ka pasur një përleshje mes lojtarëve pas përfundimit të ndeshjes Bylis-Erzeni, ndërkohë që në fushë janë futur edhe tifozë.

Ishte një ndeshje e rëndësishme për mbijetesën për Bylisin, që kryesonte 1-0 deri afër fundit. Shijakasit barazuan me penallti, më pas dy lojtarë u dëmtuam në një përplasje mes tyre dhe Mehmetin e Erzenit e mori autoambulanca për ta çuar në spital, pasi duhej një mjekim më i specializuar.

Nga ndeshja Bylis-Erzeni, 1-1. Gazeta Si, 5 mars 2023

Loja vazhdoi më shumë se 100 minuta dhe sapo ajo u mbull, plasi grushti mes lojtarëve të dy skuadrave. Një situatë kaotike. Në fushë zbritën disa tifozë, të cilët u ndaluan më pas nga policia. Një ngjarje që me siguri do të kalojë në Komisionin e Disiplinës në FSHF dhe që pritet të ketë pasoja.

Egnatia sot ka mundur Kastriotin 4-1 dhe ka dalë forcë e dytë e Superiores, pas Tiranës. Rrogozhinasit kanë barazuar Partizanin në kuotën e 37 pikëve, por janë përpara tij falë golaverazhit më të mirë. Të kuqtë luajnë të hënën derbin me Partizanin, ndërkohë që edhe Vllaznia nuk e ka luajtur ende ndeshjen e radhës në kampionat.

Gjithsesi, për Egnatian është një arritje e madhe që qoftë edhe përkohësisht të jetë në vend të dytë. Kjo skuadër nuk është më surprizë, pasi po bën një kampionat shumë të mirë, duke kaluar pritshmëritë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë