Futboll

Milani me mendje në Londër, mundet nga Fiorentina dhe komplikon Championsin

Gazeta Si – Një penallti e Niko Gonzalez dhe një gjuajte me kokë e Joviç vendosën ndeshjen në Firence. I kotë goli i Teo Hernandez në shtesë për kuqezinjtë.

Në ndeshjen e katërt të javës së 25-të të Serisë A, Fiorentina mundi 2-1 Milanin, që ndal kështu vrapin e Championsit, duke rrëshkitur në vend të katërt, pas Napolit dhe Lacios dhe me pikë të barabarta me Interin. Një fitore e merituar për toskanët, që në pjesën e parë u ndalën nga Maignan dhe Tomori.

Fiorentina feston nje nga golat ndaj Milanit. Gazeta Si, 4 mars 2023

Në të dytën Fiorentina gjeti golat, të parin me një penallti të fituar nga Ikone pas një faulli të Tomorit. Niko Gonzalez u tregua i saktë nga pika e bardhë. Pastaj portieri Terraçano mbajti larg Milanin dhe në fund Joviç dyfishoi me një zhytje me kokë.

Në minutën e 5-të shtesë Teo Hernandez realizoi golin që vlen vetëm për statistika për Milanin. Skuadra e Piolit dukej se ishte me mendje në Londër, te ndeshja e kthimit në Champions ndaj Totenhemit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë