Gazeta Si – Pas humbjes së fundit në Shkodër, 3-1 me Vllazninë në Kupën e Shqipërisë, trajneri Xhovani Kolela ka lënë të kuptohet se është drejt largimit nga Partizani. Ai ka biseduar me drejtorin Olsi Rama për disa minuta pas ndeshjes.
Klubi i kuq duhet të marrë një vendim tani: të ndahet me Kolelën, apo të vazhdojë me të. Pak kohë më parë italianit iu dha një shans dhe skuadra reagoi mirë, por sërish Partizani është në një situatë delikate, ku rrezikon të dalë jashtë Kupës dhe të humbasë terren në garën e titullit kampion në Superiore.

Gjasat janë të mëdha që Kolela të largohet, ajo që e frenon ndoshta klubin kryeqytetas ka të bëjë me faktin se përpara është derbi me Tiranën dhe trajneri i ri do të ketë shumë pak kohë ta përgatisë atë. Megjithatë, duhet pritur qëndrimi zyrtar i Partizanit.
Me Kolelën në krye Partizani ka pasur një ecuri me ulje-ngritje. Pas merkatos së janarit skuadra ka humbur elementë të rëndësishëm dhe rrjedhimisht ka humbur edhe kualitetin e saj, duke e bërë më të vështirë punën për italianin, që tashmë duket se është dorëzuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




