Drejtësia

Apeli i GJKKO shton dënimin për Fatos Tushen, duhet të rikthehet në burg edhe për 1 vit

Gazeta Si – Gjykata e Apelit të Posaçëm, urdhëroi këtë të mërkurë rikthimin në qeli të ish-kryebashkiakut të Lushnjës Fatos Tushe një muaj pas lirimit të tij.

Shkak është bërë vendimi i Gjykatës së Shkallës së Dytë, e cila ka vendosur një shtesë dënimi ndaj ish-zyrtarit prej 12 muajsh, të cilën ai tashmë duhet ta vuajë për shkak të akuzës së abuzimit me tenderët.

Më parë, nga Shkalla e Parë, Tushe ishte dënuar vetëm për shpërdorim detyre dhe lejim të ndërtimeve pa leje, kur u dënua me 2 vite e 4 muaj burg.

LEXO EDHE:
– Nga kanali vaditës, karburanti dhe shtëpia e fshatarit, abuzimet që fundosën Fatos Tushen
– “Me shefin jam unë, për kafe”, kryebashkiaku i Lushnjës, mik me fituesin e tenderit

Ndërkohë, që Apeli sot e shpalli fajtor edhe për akuzën tjetër. Si përfundim, Fatos Tushe është dënuar me 5 vite burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është 3 vite e 4 muaj burg.

Tushe e kishte kryer dënimin e mëparshëm, ndërkohë që tani do të duhet të rikthehet në burg, për të vuajtur dënimin edhe me 12 muaj. 

Pas shpalljes së këtij vendimi, pritet të firmoset urdhri i arrestit dhe Tushe do duhet të kthehet në qeli për të kryer edhe një tjetër vit dënimi me burg.

Apeli i GJKKO ka vendosur gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit përfundimisht të shumave monetare të gjetura në shtëpitë e Fatos Tushes, Flamur Peqinit, Gentian Nushit dhe Ilva Billos.

Tushe u arrestua me 6 korrik 2021 për abuzim me një tender me vlerë 24 milionë lekësë bashku me ish-vartësit e tij për rehabilitimin e një kanali vaditës në njësinë administrative Kolonjë.

Tenderi dyshohet të ishte fituar në mënyrë fiktive nga një kompani, ndërsa punimet në terren u kryen nga një tjetër kompani e administruar nga Ibrahim Lami, që sipas SPAK, privilegjohej në tenderimet e Bashkisë Lushnjë.

Ndërsa “shpërdorimi i detyrës” nga Tushe, dyshohet të jetë bërë përmes shpërdorimit të karburantit të bashkisë dhe lejimit të një ndërtimi pa leje.

Ai u përgjua nga SPAK, teksa lejonte dhënien e sasive të karburantit personave të paautorizuar, si edhe porositë ndaj një qytetari që po ndërtonte pa leje, “thuaji që kam folur me shefin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë