Lajme

Bendo e nis detyrën me një mesazh për punonjësit e SHISH-it

Një ditë pasi u dekretua nga presidenti Ilir Meta në detyrën e tij si drejtues i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo u ka dërguar një mesazh zyrtar punonjësve të këtij institucioni.

Ai bën thirrje që punonjësit e këtij institucioni të bazohen në punën e tyre në 3 parime kryesore që janë ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti.

“Propozimi i Kryeministrit dhe vendimi i Presidentit të Republikës më ngarkojnë me përgjegjësinë e lartë për të udhëhequr Shërbimin Informativ të Shtetit, si një institucion kyç për garantimin e sigurisë kombëtare. SHISH-i ndër vite ka dhënë një kontribut të çmuar si organ informativ në çështjet e sigurisë kombëtare”, – lexohet në mesazhin e Bendos.

Kreu i SHISH-it thotë se “autoritetet më të larta shtetërore dhe organizatat e partnerët ndërkombëtarë e kanë çmuar rolin themelor parashikues, parandalues dhe goditës të SHISH-it. Të nderuar kolegë, Gjithçka e arritur dhe e ndërtuar nga SHISH-i është fryt i përpjekjeve tona të përbashkëta dhe i rolit të qindra punonjësve të ndershëm e profesionistëve të vërtetë të inteligjencës, me të cilët kemi bashkëpunuar e bashkëpunojmë ndër vite”.

Bendo vlerëson se është momenti, që bazuar te parimet bazë të punës, “si LIGJSHMERIA, OBJEKTIVITETI dhe SEKRETI, të angazhohemi për të çuar cilësisht përpara punën dhe produktin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Me këtë rast, më lejoni të përçoj te çdo punonjës i Shërbimit vlerësimin dhe mbështetjen e Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Duke mirëpritur kontributin tuaj, ju uroj punë të mbarë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë