Futboll

Zhgënjimet tek Interi, klubi i vë kusht vendin e dytë trajnerit Inzagi

Gazeta Si – “Objektivi i sezonit është kualifikimi në Champions”. Ky është mesazhi që ka dhënë administratori i Interit, Bepe Marota, për trajnerin Simone Inzagi dhe për skuadrën. Një mesazh i qartë: mjaft me ulje-ngritje!

Duhet vazhdimësi për ta mbyllur kampionatin në vend të dytë, që për pronarët e Interit është një detyrim. Është thelbësor po ashtu për të ardhmen e trajnerit, që nuk mund të mjaftohet me fitimin e mundshëm të Kupës së Italisë dhe një ecuri të mirë në Europë, përveç Superkupës së fituar ndaj Milanit. Të gjitha këto nuk mund t’ia garantojnë Inzagit vitin e 3-të në stolin zikaltër.

Trajneri i Interit, Simone Inzagi. Gazeta Si, 28 shkurt 2023

Paraqitje zhgënjyese si ajo me Bolonjën nuk pranohen më. Janë shumë pikë të humbura ndaj skuadrave ‘të vogla’, 10 pikë të shpërdoruara në 2023-shin: 2-2 në Monca, 0-1 në shtëpi me Empolin, 0-0 ndaj Sampdorias dhe 1-0 në Bolonja. Janë po ashtu 7 ndalesa në 24 javë, sezonin e kaluar ishin 4 në gjithë kampionatin. Prandaj dhe Interi është -18 nga Napoli kryesues, një diferencë e papranueshme për drejtuesit e klubit.

Marota ka folur me fjalë optimiste për trajnerin, por ka kërkuar nga të gjithë më shumë motivim dhe përqendrim. Takimi ‘kokë më kokë’ mes trajnerit Inzagi dhe drejtuesve do të ketë në qendër të bisedës atë që klubi ka shprehur publikisht: luhatjet duhet të marrin fund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë